Lajme

Mustafa viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Kemi pasur mospajtime, por kontributi i tyre është i pamohueshëm

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka treguar se në fillim të kësaj jave ka qëndruar në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Ai tha se të kenë pasur mospajtime në mes vete, por trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtje të popullit është i pamohushëm.

“Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së  dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli  e  Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. 

Më  gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes , por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu  siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për  shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë  dhe në ndërtimin e institucioneve  demokratike”, ka shkruar ai.

Ai më tej, ka thënë se uron që nga ky proces që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit,  të fitojë drejtësia.

Ndryshe, sot janë bërë dy vjet që nga arrestimi i ish-krerëve të shtetit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Nga 15 konferenca që janë mbajtur deri tani – procesi gjyqësor ndaj tyre nuk ka filluar ende.

/Shqip.com