Lajme

Mustafa: Vendim i errët pushtetar pezullimi i pagave të grevistëve

Deputeti i LDK-së Besian Mustafa, ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Financave për pezullimin e pagave të grevistëve duke e quajtur ”vendim të errët pushtetar”.

Mustafa, ka thënë se vendet demokratike nuk mund të durojnë këtë dënim kolektiv.

“Demokracia nuk duron dënim kolektiv. Prej 12 qershor 1999 e tutje, apo pas 23 vitesh, në Kosovën e lirë e të pavarur merret vendimi i errët pushtetar; dënohen kolektivisht grevistët.”, ka shkruar deputeti i LDK-së.

Madje, Mustafa ka përmendur edhe ndikimin që ka kjo tek familjet të cilat nuk kanë marrë pagën.

“Dhjetëra mijëra zyrtarë nuk e kanë marrë pagën e muajit gusht.  Dhjetëra mijëra familje kanë planifikuar me ato paga të blejnë drunjtë për ngrohje për këtë dimër. Dhjetëra mijëra prindër që nuk do të mund t’ju blejnë fëmijëve libra, fletore, laps. Dhjetëra mijëra familje që nuk do të kenë me çka të blejnë bukë, miell, vaj, kripë, energji, naftë”, ka shkruar Mustafa.

Gjatë ditës se djeshme Ministri i Financave Hekuran Murati në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur se grevistëve do të u pezullohet paga./Shqip.com