Lajme

Mustafa: S’i besoj LDK-së e as Hazirit që s’e kanë parë draftin e Asociacionit

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, beson se partitë opozitare e kanë parë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një dokument i cili është prezantuar në një takim me Miroslav Lajçak, të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun.

Mustafa ka theksuar se nënkryetari i partisë së tij, Lutfi Haziri, e ka konsultuar draftin, si dhe të gjithë liderët e opozitës që ishin në takim me Lajçakun.

Ai ka thënë se çdo ndryshim i bërë në draftin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Draftin nuk e kam parë dhe është keq që nuk është parë ai draft jo nga unë por duhet ta shohin deputetët dhe partitë opozitare edhe pse nuk besoj që ato nuk e kanë parë edhe pse po thonë që nuk e kemi parë sepse po duan të mbulohen të cilat po potencojnë që nuk e kanë parë sepse duan që të mbulohen për shkak të përgjegjësisë që e kanë sepse nuk mundet një parti opozitare me e pa statutin edhe ne bisedë me Lajçakun e dy përfaqësues të tjerë mos e me pa në të njëjtën sallë sepse Lajçaku nuk e ka zgjedhur dikujt të ia jap e dikujt tjetër jo por është një përgjegjësi, nuk i besoj as Hazirit as përfaqësuesve të LDK që nuk e kanë parë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se marrëveshja e vitit 2015 ka paraparë se statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe është e rëndësishme që çdo ndryshim të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Mustafa ka shprehur shqetësimin e tij për faktin që disa deputetë nuk kanë parë draftin dhe beson se është e rëndësishme që ta shohin atë.

Ai ka vlerësuar se është e papranueshme që partitë opozitare të mos kenë informacion të plotë për një çështje të rëndësishme si Asociacioni.

“Uroj që të jetë një Asociacion më i mirë dhe të dal në një zgjidhje që të na përgjigjet neve mirëpo dyshoj që do jetë ndonjë zgjidhje e mirë më pikën 7 të Marrëveshjes së Ohrit sepse në këtë pikë parashihet vete menaxhim i serbëve në Kosovë që nuk parashihte as në marrëveshjen e parë e as në dokumentin e 2015 vete menaxhimi është më e gjerë sesa që ka qenë marrëveshja për Asociacion mirëpo nëse Kurti ka mundur që atë ta kornizojë në suaza Kushtetuese do t’i gëzohesha asaj sepse është në pyetje interesi i Kosovës, 10 vite jemi dëmtuar sepse do ishim larg tani do ishim përpara në proces integrimeve do ta kishim para 4-5 viteve të përfunduar procesin e liberalizimit do duhej dikush të kishte përgjegjësi mirëpo ne vend të përgjegjësisë ata që e kanë penguar atë kanë marr vota, mirëpo tashmë edhe asociacioni është edhe masat e BE-së janë edhe vërejtjet e raport progresit nuk është asgjë mirë, por shpresojë që të rregullohen”, ka deklaruar tutje ai.

Ish-kryeministri gjithashtu ka komentuar rolin e Lajçak, duke thënë se përfaqësuesi i BE-së nuk duhet të zgjedhë personin për të cilin do t’i paraqesë draftin, por duhet të ketë konsultime të përgjithshme me të gjithë palët e interesuara.

Ndër të tjera, ai ka thënë është koha që Kosova të vetëdijesohet dhe të punojë drejt qëllimeve të saj.

/Shqip.com