Lajme

Mustafa: S’do të ketë rritje të pagave, po vështirësohet mbijetesa e qytetarëve

Besian Mustafa, deputet i LDK-së
Besian Mustafa, deputet i LDK-së

Ish-ministri i Bujqësisë, deputeti aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa thotë se pagat do të mbesin të njëjta edhe këtë vit, pas ngritjeve enorme të çmimeve.

Kjo ngase sipas tij, premtimet e Qeverisë nuk po jetësohen madje edhe Fondi Monetare Ndërkombëtar ka vënë në mëdyshje shifrat që ka dhënë ekzekutivi për rritjen ekonomike.

Mustafa tha se ajo çka mbetet e saktë është se inflacioni për muajin mars të këtij viti krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar është 10%.

“Edhe Fondi Monetare Ndërkombëtar ka vënë në mëdyshje edhe shifrat që ka dhënë vetë Qeveria e Kosovës për rritjen ekonomike në vitin 2021 për rritjen ekonomike që Qeveria e Kosovës deklaroi se qenka rritje e pashembullt. Ajo çka mbetet e saktë është se inflacionin për muajin mars të këtij viti krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar është 10%. Të gjitha çmimet e sidomos ato elementare kanë një rritje enorme e cila po pamundëson dhe vështirëson mbijetesën dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Ilustrim.

Ai thotë se rritja e çmimeve po e pamundëson dhe vështirëson mbijetesën dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Shifrat zyrtare të rritjes ekonomike për vitin 2022 do të jetë fare pak e rëndësishme për qytetarët. Ajo çka do të jetë e rëndësishme është mirëqenia e tyre ose thënë sa do të mund t’ia dalin nga muaji në muaj që të mbyllin muajin me pagën ekzistuese që kanë. Përkundër që Qeveria ka premtuar se do të ketë rritje të pagës minimale nuk duket që do të ketë rritje të pagave qoftë sektorin publik e qoftë edhe atë privat. Pagat me gjasë do të mbesin të njëjta në vitin 2022 po kemi rritje enorme të çmimeve. Shifrat janë 10% për një vit dhe kemi rritje nga 30% deri në 100% te energjia elektrike”, tha Mustafa.

Ai tha se kanë kërkuar edhe më herët që të ketë ulje të TVSh-së dhe eliminim të tërësishëm të akcizës doganore për tre deri në gjashtë muaj për të tejkaluar krizën.

“Sa i përket produkteve bazike ushqimore dhe lëndës së parë ne kemi thënë më herët si LDK që të ketë një ulje të TVSh dhe eliminim të tërësishëm të akcizës doganore për tre deri në 6 muaj derisa të kalojë më e keqja e kësaj krize. Fatkeqësisht Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë nga këto hapa. Kjo ka efekt negativ edhe tek bujqit prodhues sepse u janë rritur kostot e imputeve bujqësore që nga plehrat artificial e deri tek farat dhe nafta”.

Ish-ministri i Bujqësisë, u shpreh i shqetësuar edhe me vonesat për dhënien e subvencioneve për bujqit, sidomos në këtë periudhë kur janë ngritur çmimet.

“Ajo çka ka ofruar Qeveria duket të jetë e pamjaftueshme për bujqit. Qeveria kishte premtuar që hapja për aplikim për subvencione të bëhej në fund të muajit mars në realitet u hap para disa ditës me një muaj vonesë. Pastaj procedura kërkon që të ketë një kontroll administrativ të gjitha atyre aplikacioneve pra do të marrë disa muaj. Do vije vjeshta e dimri kur zyrtarët e ministrisë do të dalin për të verifikuar grurin e mbjellë në korrik. Është kogja një pikëpyetje e madhe sesi do bëhet verifikimi pa të cilin nuk mund të realizohen pagesat e subvencioneve”, tha ai./Shqip.com