Lajme

Mustafa për Osmanin: Një presidente e tillë nuk i duhet vendit

Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar veprimet e presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se “një presidente e tillë nuk i duhet vendit”.

Sipas tij, veprimet e Osmanit si presidente janë të njëanshme dhe joligjore, ndërsa ka shtuar se “akoma vepron si me qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosjes”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

“Mendoj se duhet ta ndërrojë këtë qëndrim dhe të kalojë në një qëndrim neutral në mënyrë që secili ta shohë veten se ka përkujdesjen dhe sigurinë e presidentes së vendit”.

“Nëse punon në një kanal presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari atëherë është rrezik për vendin sepse s’ka kush i amortizon disa vendime që për qytetarët, të cilat për subjektet politike mund të mos jenë të volitshme”, është shprehur Mustafa në një intervistë për Klan Kosovën.

Ish-lideri i LDK-së ka përmendur edhe vendimin e Osmanit për ta shkarkuar Valdete Dakën nga posti i kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka

Ka thënë se “s’ka qenë unifikuese kur ka marrë vendim për kryetaren e KQZ-së, sepse nuk merren vendimet e tilla”.

“Shkelje e drejtëpërdrejtë e ligjit dhe Kushtetutës, sepse s’ka pasë të drejtë të marrë këtë vendim. S’e kam parë që ka qenë unifikuese edhe në kontaktet me grupet parlamentare dhe me partitë politike”.