Lajme

Mustafa: Ministria e Financave nuk i ka procesuar pagat ani pse në llogari i ka 800 milionë euro

Besian Mustafa, deputet i LDK-së
Besian Mustafa, deputet i LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka hedhur akuza në drejtim të Ministrisë së Financave lidhur me pagat e muajit shtator.

Sipas Mustafës, kjo ministri nuk ka procesuar pagat për asnjë nga 80 mijë zyrtarë publik.

“Sot, Ministria e Financave nuk ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80.000 zyrtarët publik! Pra, as për mjekët, as policët, as zjarrfikësit, as ushtarët e FSK… askujt” ka thënë fillimisht Mustafa.

Po ashtu Mustafa ka thënë se në llogari të Ministrisë së Financave janë 800 milionë euro.

“Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet. Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve! Si t’i paguajnë këta qytetarë faturat e energjisë, ujit, telefonit, këstet e kredive kur Qeveria nuk ua proceson pagat” ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, ky duket qartë se është ndëshkim i të gjithë zyrtarëve publik, është presion i llojit “detyroni mësuesit të kthehen në shkolla, përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”.

Qeveria ta ndalë urgjentisht këtë qasje të ndëshkimit kolektiv dhe të mos dëmtojë edhe më tej gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve tanë, ka shtuar Mustafa./Shqip.com