Lajme

Mustafa: Kriza ekonomike do të përkeqësohet gjatë dimrit

Besian Mustafa, deputet i LDK-së
Besian Mustafa, deputet i LDK-së

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se kriza ekonomike do të përkeqësohet.

Përmes një konferencë për media, Mustafa tha se Qeveria nuk bëri asgjë që të përballohet kriza.

“Na ndajnë disa javë nga fundi i verës dhe kriza do të përkeqësohet në mënyrë dramatike, pasi po vijnë ditët më të ftohta të vitit. Kjo qeveri e papërgjegjshme nuk bëri asgjë për të përballuar krizën, për të mbështetur qytetarët dhe për t’ua lehtësuar barrën që rëndon mbi ta”, tha Mustafa.

Mustafa tha se duhet të veprohet menjëherë sepse nuk ka kohë për të humbur.

Qeveria duhet të veprojë menjëherë sepse nuk ka më kohë për të humbur, prandaj propozojmë një plan që do të ketë efekte të menjëhershme dhe afatgjate në uljen e shpenzimeve për qytetarët dhe kompanitë dhe stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji të vendit tonë”.

Lexo edhe:
Krasniqi: Qeveria abstenoi në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën përballë krizës ekonomike

Gjatë ditë së sotme, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke hequr dorë nga përpjekjet për të ndihmuar Kosovën që të përballojë krizën ekonomike.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se ka rënje e konsiderueshme të fuqisë blerëse në Kosovë.

“Kur pritjet për ekonominë këtë vit sa shkojnë e përkeqësohen, Qeveria e Kosovës duket se ka hequr dorë nga çdo përpjekje serioze për ta ndihmuar vendin që ta përballojë krizën ekonomike me të cilën po ballafaqohet. Të dhënat për muajin korrik tregojnë se çmimet e ushqimit në Kosovë kanë qenë për 22.1% më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, përderisa të ardhurat e qytetarëve, kanë mbetur të njëjta me periudhën e para krizës e që në terma real, nënkupton një rënie të konsiderueshme të fuqisë blerëse”, shkroi Krasniqi.

Memli Krasniqi

Ai tha se Qeveria ka dështuar edhe për furnizimin e Kosovës me energji elektrike.

“Në kohën kur të gjithë kishin sytë nga rritja e çmimeve, qytetarëve të Kosovës iu prezantua edhe një sfidë e re – ajo e reduktimeve të energjisë elektrike në mes të verës. Dështimi për ta furnizuar vendin me energji elektrike, madje edhe gjatë kësaj periudhe, paraqet paralajmërimin më të përafërt lidhur me atë se çka mund të presim për muajt që pasojnë, sidomos në stinën e dimrit”.

Përkundër të gjitha këtyre, Krasniqi ka thënë se Qeveria ka bllokuar edhe investimet kapitale./Shqip.com