Lajme

Musliu: Vrasja e 6 të rinjve serbë në “Panda”, një nga rastet më të tmerrshme që sajoi Serbia kundër Kosovës

Ndërtesa e ish-kafenesë “Panda” në Pejë, ku mbetën të vrarë gjashtë të rinj serbë. Foto:Video Grab (RFE/RL)
Ndërtesa e ish-kafenesë “Panda” në Pejë, ku mbetën të vrarë gjashtë të rinj serbë. Foto:Video Grab (RFE/RL)

23 vjet më parë në një kafiteri në Pejë të njohur me emrin “Panda”, autoritetet e Serbisë që e mbanin Kosovën nën terror kishin inskenuar vrasjen e 6 të rinjve serbë për t’ua vënë fajin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Agim Musliu, në një postim në Twitter ka shkruar për këtë masakër për të cilën më vonë, rreth 14 vjet pas krimit,  Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Serbisë, ka lënë të kuptohet se krimi “mund të mos jetë kryer nga shqiptarët”.

Në një intervistë për televizionin e Beogradit “Pink”, ai kishte thënë se “publiku do të tmerrohet” kur të zbulohet e vërteta.

Musliu shkruan se ky është një nga rastet më të tmerrshme që Serbia ka përgatitur kundër shqiptarëve por edhe ndaj serbëve.

“Një nga rastet më të tmerrshme që #Serbia sajoi kundër #shqiptarëve të #Kosovës, por edhe ndaj #Serbëve, është ai i një çerek shekulli më parë, i njohur si rasti #Panda. Më 14 dhjetor 1998, Serbia vrau 6 të rinj serbë në Pejë, duke fajësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës” shkruan Musliu.

/Shqip.com