Lajme

Musliu: Po zyrtarizohet diktatura

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se me Ligjin për Zyrtarët Publik po zyrtarizohet diktatura.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu tha se sot është dashtë që sindikatat t’i nxjerrin të gjithë punëtorët në rrugë.

“Po kërkoni Opozite konstruktive, ja ku e keni. Sot është dashtë sindikatatë e punëtoreve ti nxjerrin të gjithë punëtoret në rrugë. Sot në Kuvendin e Kosovës me votën e VV-së po rrënohet sistemi i administrates shtetërore. Sot po zyrtarizohet diktatura”, shkroi Musliu.

Tutje, Musliu tha se nesër mund të jetë tepër vonë.

Mes kritikash nga opozita, Komisioni për Administratë Publike kishte miratuar në parim Projektligjin për zyrtarët publik.

Në seancën e fundit lidhur me këtë çështje, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ishte miratuar në lexim të parë projektligji për pagat në sektorin publik.

Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, kishte thënë se me këto dy projektligje synojnë rregullimin e Administratës Shtetërore.

Më tutje Dobra ka thënë se vlera e koeficientit do të caktohet në bazë të buxhetit të vitit 2023.

/Shqip.com