Musliu: Pas debatit me Konjufcën kam marrë kërcënime seksuale, me vrasje e deri te prerja e kokës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka njoftuar të shtunën se ka marrë kërcënime, siç ka thënë ajo nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, “duke filluar nga ato seksuale, vrasje e deri te prerja e kokës me sakicë”.
Sipas saj, këto kërcënime kanë ardhur pas debatit që ka pasur në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar për punën 100 ditëshe të Qeverisë Kurti, e në të cilën ka pasur debat me kryeparlamentarit Glauk Konjufca, përcjell Shqip.com.
“Duke ju falënderuar të gjithëve për kujdesin, dhe ne pamundësi për te ju kthyer përgjigjeje secilit veç e veç, ju konfirmoj se, pas seancës parlamentare ku po diskutohej për 100 ditshin e qeverise dhe debatit tim me Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca, nga militantët e VV-së, kam marre shume kërcënime duke filluar nga ato seksuale, vrasje e deri te prerja e kokës me sakicë”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Ajo më tej ka bërë të ditur se rastet i ka denoncuar në polici, duke shtuar se “pavarësisht a jemi në pushtet apo në opozite, unë besoj fort në institucionet e Kosovës dhe profesionalizmin e organeve të sigurisë”.
Një person është intervistuar dhe dërguar në mbajtje tashmë, ka thënë Musliu.
“Po ashtu më janë rekomanduar disa masa të cilat unë do t’i përfill me përpikmëri”.