Lajme

Musliu me kritika të ashpra kundër PDK’së, tregon pse nuk mori pjesë në Konventën Programore të partisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu ka thënë se brenda kësaj partie ka individë që kanë tendencë për të kontrolluar gjithçka.

Ajo tha se më këtë lidhet edhe mungesa e saj në Konventën e kësaj partie që është mbajtur sot.

“Për hir të qindra mesazheve që kam marrë sot nga aktivistet dhe aktivistët e PDK-së dhe interesimit të madh të mediave, për mospraninë time në „Konventën programore të PDK-së“, ndjej obligim personal që ta bëj një sqarim publik. Mungesa ime sot ka të bëjë me mospajtimin tim me mënyrën e organizimit të Konventës, si në kohë si në përmbajtje, si në përfaqësimin. Sot pamë një Konventë, pa zëra kritik dhe pa një rezyme të proceseve nëpër të cilën ka kaluar Partia Demokratike e Kosovës.

Sot, pamë një konventë me një parullë patetike 50-50, që realisht për qëllim ka vetëm të tingëllojë shumë bukur, por nuk pamë një plan konkret se si do të realizohet ky synim 50-50.Sot, pamë një konventë që favorizoi persona që as nuk e kanë të qartë se kush është PDK-ja përderisa aktivistet e vërteta u thirrën për t´ua bërë publikun për fotot e tyre të Fcb-ukut.”.

Ajo ka thënë se kjo që është mbajtur sot vetëm Konventë nuk mund të quhet.

“Secili që merr mundin dhe e analizon këtë Konventë, e që vetëm Konventë nuk mund të quhet, padyshim vjen në përfundim se në asnjë rrethanë nuk mund të mohohet tendenca e disa individëve për të kontrolluar gjithçka dhe për të përjashtuar çdo gjë që nuk ju shkon atyre për shtati. Kjo mënyrë e qasjes ndaj aktivisteve më të hershme dhe më të devotshme të PDK-së do të bëhet pengesa më e madhe dhe më shkatërruese për çdo kauzë në të ardhmen; Jo vetëm asaj të Vajzave dhe Grave.

Në PDK, sikurse edhe në partitë e tjera pa përjashtim, gratë dhe vajzat duhet të jenë pa zë, të përshtatën dhe të nënshtrohen sepse vetëm kështu ato respektohen nga individë të caktuar, e që fatkeqësisht këta individë sot udhëheqin partitë politike në Kosovë. Kjo është një situatë që të gjithë e dijnë, por që nuk prononocohen qartë”.

Partia Demokratike e Kosovës

Tutje Musliu ka thënë se “nuk mund të ia lejoj vetës të heshti kur jam dëshmitare se çdo ditë, në emër të reformave po shkatërrohet historia, tradita, identiteti jonë politik dhe dinjiteti jonë njerëzor”.

Ajo ka thënë s’mund të bëhet pjesë e një konvente ku nuk përmenden ish-liderët e ish-themeluesit e partisë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Nuk e shoh të arsyeshe të bëhëm numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhën ish liderëve dhe ish themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkelqyer me heshtje në këtë drejtim duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat”.

Ajo ka thënë se do të vazhdojë që të qëndrojë në PDK dhe do të bëjë opozitë edhe brenda kësaj partie.

“Do të qëndroj fuqishëm në PDK dhe do të vazhdoj të bëj opozitë të fortë kundër partisë në pushtet, por do të vazhdoj të bëjë opozitë edhe ndaj dukurive shkatërruese brenda Partisë sonë. Do të përpiqem të jem zëri i atyre që nuk dëgjohen në PDK. Këtë ua kam borxh të gjithë atyre që Partinë Demokratike e duan dhe e mbështesin në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Bashkë me ta do të qëndroj fuqishëm në PDK, por kurrë më nuk do të hesht para veprimeve destruktive dhe të dëmshme për Partinë dhe për Kosovën. Nëse debati i hapur dhe i sinqertë dhe kritika konstruktive do të më penolizojnë mua personalisht mbetet të shihet; Por do të ngushëllohem nëse në të ardhmen Gratë dhe Vajzat do të marrin guxim dhe do të ngrisin zërin e tyre për përmbajtje dhe për barazi të vërtetë”.

Ndryshe, kryetari i PDK-së , Memli Krasniqi, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar sot vizionin dhe vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha nivelet e organizimit dhe vendimmarrjes.

Në shpalosjen e vizionit i cili do të përfaqësojë PDK-në në rrugëtimin përpara, Krasniqi ka thënë se 50 % me 50 % është formula, misioni dhe qëllimi i PDK-së për të cilin nuk do të ndalen asnjëherë.

“Rrugëtimi jonë si PDK, nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë. 50 % me 50 % është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë”, ka thënë Krasniqi./SHQIP.com