Lajme

Musliu-Shoshi: Ministrat Gërvalla dhe Damka keqpërdorën rreth 1.1 milion euro

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka hedhur akuza në drejtim të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministrit të Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka.

Sipas Musliu Gërvalla ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 1 milion euro të paligjshëm.

Sipas Musliu kjo na bënë të kuptojmë që këtu kemi të bëjmë me një aferë korruptive.

“Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të së cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove.”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.

Sipas Musliut ky memorandum bashkëpunimi është nënshkruar me 16 gusht të vitit 2021.

“Memorandumi është nënshkruar më datë 16 gusht 2021, nga ana e Ministrit Fikrim Damka dhe përfaqësuesve të Caritas-it Zviceran (CACH), ku statusi ligjor i këtij të fundit, është Organizatë Joqeveritare (OJQ), e regjistruar si e tillë në Ministrinë e Administratës Publike të Republikës së Kosovës” ka thënë Shoshi.

Marrëveshje të tilla mund të lidhin ministritë vetëm me shtetet e huaja ose organizatat ndërkombëtare dhe vetëm nëse marrëveshjet e tilla nuk përmbajnë obligime të detyrueshme për Qeverinë ka shtuar më tutje Shoshi./Shqip.com