Sport Shqiptar

Mushica e Zhdrella parashikojnë bilancin pas dy ndeshjeve të para

Kushtrim Mushica e Mentor Zhdrella e dinë shumë mirë ndjenjën e fanellën së Përfaqësueses, por fatkeqësisht jo edhe në gara zyrtare ndërkombëtare, pasi Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA e FIFA, shkruan Shqip.com.

Dy ish-futbollistët që kanë lënë gjurmë në futbollin kosovar, janë optimistë se Përfaqësuesja e Kosovës do ta nisë me rezultate pozitive kampanjën kualifikuese për EURO 2024.

Kosova nesër luan me Izraelin në Tel Aviv, ndërsa më 28 mars, në “Fadil Vokrri” e pret Andorrën.

Ish-portieri i Përfaqësueses, Kushtrim Mushica, mendon se katër pikë nga këto dy ndeshje janë minimumi që duhet të marrin futbollistët tanë.

“Kosova po e nis një cikël të ri kualifikues me një skuadër shumë më të pjekur e më cilësore se në kualifikimet e mëhershme. Mendoj që kemi pasur fat edhe në short, pasi jemi në grup me kombëtare që mund t’i mposhtim dhe të sigurojmë kualifikimin në EURO 2024”, ka thënë Mushica për Shqip.com.

Ai thekson se në Izrael duhet të marrim së paku një pikë, ndërsa Andorra është rivale që duhet mposhtur.

“Izraeli është kombëtare e cila nuk shquhet për individë të dalluar, por si grup funksionon shumë mirë dhe këtë e kam parë në kualifikimet e kaluara, kur ishte në grup me Shqipërinë. Mirëpo, Kosova ka dëshmuar se si mysafire mund të luajë shumë mirë dhe unë besoj që në Tel Aviv do të marrim së paku një pikë, që do të ishte nismë e mirë. Ndërsa, Andora është rivale ndaj së cilës duhet fituar, sepse në këtë mënyrë barazimi apo fitorja ndaj Izraelit do të ketë vlerën më të madhe”, ka thënë Mushica.

Ish-gardiani i Prishtinës, optimizmin e bazon të forma e mirë e futbollistëve tanë.
“Fakti që Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Amir Rrahmani e të tjerët po kalojnë formë të mirë. Pastaj kthimi i Leart Paqaradës është shumë i mirëseardhur, pasi në atë pozitë kemi pasur probleme. Bazuar në këto fakte, unë jam optimist se do ta nisim mbarë, por shpresoj edhe në kualifikimin në Evropian”, është shprehur Mushica për Shqip.com.

Edhe më optimist se ai është Mentor Zhdrella, i cili beson se nga dy ndeshjet e para, dardanët do t’i arkëtojnë gjashtë pikë.

“Duke parë formën aktuale të futbollistëve tanë në skuadrat e tyre përkatëse, besoj se nga këto dy ndeshje do t’i marrim gjashtë pikë dhe kualifikimet t’i nisim në mënyrën më të mirë”, ka thënë Zhdrella për Shqip.com.

Ai beson se kualifikimi është më se i mundur dhe ky duhet të jetë synimi i Përfaqësueses sonë.

“Kemi futbollistë me shumë potencial, ndërsa edhe në short kemi pasur fat, prandaj synimi duhet të jetë i qartë, kualifikimi në Kampionatin Evropian”, ka shtuar Zhdrella, i cili sivjet u përshëndet nga futbolli aktiv,

Përveç Izraelit e Andorrës, Kosova në Grupin I do të luajë edhe me Zvicrën, Rumaninë e Bjellorusinë.

/Shqip.com