Ekonomi

Murtezaj: 335 milionë euro janë mbledhur të hyra tatimore për gjashtë muaj

Ilir Murtezaj, drejtor i ATK-së

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Ilir Murtezaj, ka thënë se janë mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore gjatë periudhës gjashtë mujore të vitit 2022.

Në një konferencë për media, Murtezaj tha se kanë rritje prej 26.5 milionë euro.

“Gjatë periudhës gjashtë mujore jemi vlerësuar nga FMN-ja. ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë gjashtë mujorit të hyrat mbi 355 milion euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 për qind”.

Ndër faktorët që kanë pasur ndikim në këtë rritje, Murtezaj potencon shërbimet profesionale, fuqinë e kontrollit bashkëpunimi në mes institucioneve etj.

Tutje, Murtezaj tha se një ndër sfidat e ATK-së mbesin borxhet e që në vitin 2022 janë inkasuar 76 milion euro.

“Në kuadër të reformave është edhe procesi i rreziqeve në përmbushje tatimore. Ato janë sektori i ndërtimtarisë, gastronomisë, punësimi joformal, projekti mos deklarues. Vazhdojmë të kemi edhe sfida që nganjëherë janë vështirë të tejkalueshme. Në përgjithësi qeverisë mundohemi t’ia adresojmë dhe t’i zgjidhim së bashku”.

Një ndër synimet e ATK-së, sipas Murtezajt mbetet edhe implementimi i planit strategjik të ATK-së 2022-2026.

Ky plan ka të bëjë me përmirësimi i përmbushjes së tatimpaguesve të mëdhenj, implementimi i planeve në sektorë me rrezik, projekti ndërtimtaria, ngritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të rrezikut ejt./Shqip.com