Sport Shqiptar

Muriqi optimist për tri pikë në “Fadil Vokrri”

Përfaqësuesja e Kosovës, të premten e zhvillon ndeshjen me Rumaninë, ndërsa sulmuesi Vedat Muriqi, ka shprehur optimizëm se tri pikët nga kjo përballje do të mbesin në “Fadil Vokrri”.

Sulmuesi i Mallorcas ka thënë se dy ndeshjet e radhës kualifikuese janë shumë të rëndësishme për  Kosovën.

“Dardanët” fillimisht të premten përballen në Prishtinë me Rumaninë, kurse më pas përballë do të kenë Bjellorusinë. Sulmuesi shtatlartë ka thënë se në “Fadil Vokrri” s’ka opsion tjetër përveç tri pikëve në përballje me rumunët.

“Kryesorja është se jemi optimistë në radhë të parë, por edhe jemi lojtarë që punojmë shumë, prandaj shpresoj në trepikësh në ‘Fadil Vokrri’ para tifozëve tanë. Këto padyshim janë dy ndeshje kruciale. Fillimisht kemi përballë Rumaninë, e cila ka katër pikë më shumë se ne dhe nuk mund të parashikoj situatë tjetër përveç tri pikëve. Çdo rezultat tjetër mund të na shkatërrojë dhe të na shkaktojë dhimbje, po ashtu edhe një destabilitet siç e kemi pasur në kualifikimet e kaluara. Prandaj, është i domosdoshëm trepikëshi në radhë të parë me Rumaninë, pastaj me Bjellorusinë në Budapest është histori tjetër”, ka deklaruar Muriqi.

/Shqip.com