Lajme

Murati tregon me shifra se sa e rriti diaspora financiarisht Kosovën këtë verë

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së fundi ka publikuar një grafikë ku tregon ndikimin që kanë remitencat në buxhetin e Kosovës.

Murati sqaron se në fund të muajit korrik, niveli i depozitave në valutën Euro, ishte 4.88 miliardë euro, si pasojë e ardhjes së diasporës në vend.

“Një gjë tjetër interesante që vërehet është edhe kontributi i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë në muajin korrik, atëherë kur edhe fillon ardhja masive e tyre në vendlindje, ku depozitat bankare shënojnë nivel rekord”, ka shkruar Murati në Facebook.

Po ashtu, ministri i MFPT-së ka dhënë detaje edhe rreth uljeve-ngritjeve të të hyrave buxhetore gjatë periudhës kur ka nisur pushtimi rus në Ukrainë dhe pakoja mbështetëse nga qeveria.

“Siç mund të shihet nga grafiku më poshtë, në fillim të vitit kishte një rënie të theksuar të nivelit të depozitave si rezultat i luftës që nisi në Ukrainë. Për shkak të rritjes së çmimeve e rrezikut të mbylljes së kufijve, qytetarët e bizneset nxituan të furnizoheshin me mallëra, gjë që shkaktoi një rënie të nivelit të likuiditetit në ekonomi.

Grafika e publikuar nga ministri i MPFT, Hekuran Murati

Mirëpo trendi kthehet në pozitiv në muajin prill, kur nis zbatimi i pakos mbështetëse për qytetarët në vlerë prej 100 milionë euro, ku përfituan familjet në asistencë sociale, punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët e studentët”, shkroi Murati.

Theksojmë se buxheti i Kosovës është 2 miliardë e 748 milionë euro./Shqip.com