Lajme

Murati prezanton masën për rikthimin në punë të atyre që humbën vendin e punës gjatë pandemisë

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka marrë sot vendim për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e Masës së Pakosë së Rimëkëmbjes Ekonomike ku bëhet fjalë për rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendin e tyre të punës gjatë pandemisë, njofton Shqip.com.

Siç njoftojnë nga kjo ministri, përmes Masës 1.1 ku synon të ndihmojë aya që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, ku hyn secili punonjës që ka qenë i punësuar në periudhën dhjetor 2019 – shkurt 2020 dhe “e ka humbur vendin e punës do t’i subvencionohet paga bruto deri në 50% për 3 muaj, duke filluar nga periudha tatimore korrik 2021. Kusht për subvencionim është që përfituesi të mos ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën prill 2021 – qershor 2021”.

Për të përfituar nga subvencioni, punëtorët e rinj duhet të kualifikohen për Masën 1.1, ku verifikimi do të bëhet përmes uebfaqes së ATK-së.

“Më pas, të kualifikuarit duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të ATK-së, duke filluar nga data 1 gusht 2021 (për periudhën tatimore korrik 2021). Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Tutje njoftohet se aplikimi për subvencion nga Masa 1.1 do të mund të bëhet deri më datë 15.10.2021. /Shqip.com