Lajme

Murati: Më nuk do të ketë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë për regjistrimin e veturave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Finacave, Hekuran Murati, ka njoftuar se më nuk do të ketë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë që të regjistrohet vetura, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, Murati tregoi se aktualisht për të regjistruar një veturë, pronari i saj duhet që të nxjerrë vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë.

Por, sipas tij, me projekt-rregulloren e re, pas miratimit në qeveri, qytetarët nuk do të kenë më nevojë të nxjerrin një vërtetim të tillë kur e regjistrojnë veturën.

Një qytetar duke regjistruar veturën e tij.

“Aktualisht, për të regjistruar një veturë, pronari i veturës kërkohet që të nxjerrë edhe vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë. Kurse me projekt-rregulloren e re, pas miratimit të saj në qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën.

Kjo e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave, sepse heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë (dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim)”, shkroi ndër tjerash ai.

Po ashtu, ai thotë se me këtë rregullore të re, ulet numri i veturave të paregjistruara, i cili është edhe një kriter për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.

Tutje, Murati thekson se qytetarët duhet të paguajnë me rregull faturat e tatimit në pronë, pasi që me ligjin e ri, të gjithë ata që kanë borxhe mbi 300 euro, do të trajtohen përmes përmbaruesit./SHQIP.com