Ekonomi

Murati: Me Ligjin për Tatimin në Pronë, falen faturat deri në 100 €

Hekuran Murati, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve
Hekuran Murati, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve

Ndryshimet e fundit në Ligjin e Tatimit në Pronë, siç ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati, lejojnë faljen e faturave të tatimit deri në 100 euro për tatimpaguesit dhe inkurajojnë komunat të vendosin nivelin e zbritjes deri më 15 shtator për të lehtësuar barrën tatimore për qytetarët.

Murati ka njoftuar për ndryshimet e reja në Ligjin e Tatimit në Pronë që kanë hyrë zyrtarisht në fuqi pas votimit në Kuvend dhe dekretimit nga Presidentja.

Këto ndryshime sipas tij, synojnë të lehtësojnë barrën tatimore për qytetarët në kohën e vështirë të pagimit të tatimeve të pronës së tyre.

Në këtë ligj, një ndryshim është lejimi i faljes së faturave të tatimit në pronë deri në një shumë prej 100 euro për secilin tatimpagues.

Për ta bërë këtë ndryshim edhe më të dobishëm për qytetarët, siç ka bërë të ditur ministri Murati komunat kanë detyrimin të vendosin nivelin e zbritjes së tatimit deri më 15 shtator.

“Përmes këtij ligji, mundësohet falja e faturave të tatimit në pronë deri në 100 euro për secilin tatimpagues, dhe komunat duhet të vendosin më së largu deri më 15 shtator për këtë zbritje”, ka thënë Murati në rrjetin social, Facebook.

“Pra, të gjitha komunat do ta kenë mundësinë që të zvogëlojnë barrën tatimore për qytetarët, ashtu siç kanë kërkuar, dhe kësisoj t’i kursejnë shumicën prej tyre nga pagesa e këstit të dytë që duhet të bëhet muajin shtator”, ka shtuar ai.

Në rast miratimi nga komuna, sipas ministrit Murati qytetarëve që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, shuma e paguar u llogaritet parapagim për faturën vijuese.

Ndryshe, Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë bërë të ditur se do ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

Në njoftimin e AKK-së, thuhet se Ministria e Financave nuk konsultoi fare komunat pasi mori vendim për ndryshimin e Ligjit.

/Shqip.com