Ekonomi

Murati: Kosova mund të krahasohet me Francën e Austrinë me nivelin e mbështetjes ndaj qytetarëve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, thotë se Kosova mund të krahasohet me shtete shumë më të forta ekonomikisht, si Franca e Austria, sa i përket mbështetjes ndaj qytetarëve.

Ai këtë deklaratë e ka bërë në rrjetin social “Facebook”, derisa ka përmendur një varg masash që Qeveria Kurti ka ndërmarrë muajve të fundit për t’i mbështetur ekonomikisht qytetarët, duke thënë se pasojat e krizës globale po i vuan edhe Kosova.

Sa i përket rritjes së çmimeve në treg, ka thënë se kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së konsumi global, rritje kjo që sipas tij është bërë më shpejtë sesa që kapacitetet prodhuese e logjistike mund ta përballojnë.

“Kjo gjë ka shkaktuar rritje të çmimeve anekënd globit, dhe ka vënë në vështirësi të gjitha shtetet e qeveritë. Pasojat e kësaj krize globale, krahas shumë shteteve më të forta ekonomikisht, po i vuajmë edhe ne”.

“Në mungesë të mundësisë për të ushtruar politika monetare, si qeveri, na mbetet që përmes politikave fiskale të ndihmojmë ata që kanë më së shumti nevojë për t’u përballur me këtë krizë, dhe njëkohësisht të mos shkaktojmë presione tjera inflacionare”, ka shkruar ndër të tjera Murati.

Sipas tij, opozita synon që fajin për rritjen globale t’ia mvesh Qeverisë Kurti.

“Por nëse i pyet opozitën, ata do të thonë se qeveria nuk po bën asgjë. Madje, edhe fajin për rritjen globale të çmimeve tentojnë t’ia mveshin kësaj qeverie. Por, se si do të kishin qeverisur ata, mjafton të shikohen statistikat e inflacionit”.

“Përkundër kritikave e përshtypjes së krijuar, viti 2021 mezi arrin të futet në vendin e pestë, nëse i krahasojmë vitet me nivelin më të lartë të inflacionit mesatar vjetor. Të dhënat janë marrë nga ASK”, ka përfunduar ministri Murati./SHQIP.com