Murati: Kosova është fokusuar në zvogëlimin e ndikimit të pandemisë si dhe në ringjalljen ekonomike
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen që Banka Evropian për Investime i ka dhënë Kosovës.
Këto vlerësime, Murati i ka thënë gjatë takimit me delegacionin e Bankës Evropiane për Investime (BEI) të kryesuar nga Zëvendës- Presidentja Liliana Pavlova, në premisat qendrore të BEI në Luksemburg.
“Shteti i Kosovës është fokusuar në zvogëlimin e ndikimit të pandemisë si dhe në ringjalljen ekonomike, andaj mirëpresim Planin Ekonomik dhe Investiv të BE-së i cili synon zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Murati.
Nga ana tjetër Zëvendës-Presidentja e BEI, Pavlova e vlerësoi vizitën e delegacionit kosovar dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Synimi i përbashkët i të dy palëve është që të rritet mbështetja financiare dhe teknike duke vepruar në linjë me Agjendën e Gjelbër dhe Digjitale të Bashkimit Evropian.
Vlen të theksohet se gjatë periudhës së pandemisë, BEI ka ndihmuar Kosovën me 70 milionë euro, në funksion të rimëkëmbjes së qëndrueshme pas situatës pandemike./Shqip.com