Lajme

Murati: Janë kursyer 88 milionë euro import nga subvencionimi i energjisë

Tomas Szunyog dhe Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë bërë të ditur se nga subvencionimi i energjisë elektrike, masë e cila përfundon këtë muaj, kanë përfituar mbi 200 mijë familje e se vendit i janë kursyer rreth 88 milionë euro.

Në një konferencë për medie, të thirrur në prag të përfundimit të subvencionimit të faturave elektrike, ministri Murati ka thënë ky dimër, siç konsideroi ai, ka qenë ndër më të lirët sa i përket çmimit të energjisë elektrike.

Tutje, ai ka treguar se në tre muajt e parë subvencionimi është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe më pas katër të tjerë nga BE-ja.

“Subvencionimin e kursimit të energjisë, të cilën e kemi lansuar në muajin shtator fillimisht si pilotim dhe si testim e që për tre muajt e parë është financuar nga buxheti i shtetit dhe më pastaj gjatë diskutimeve që kemi pasur me Bashkimin Evropian, është përfshirë në pakon mbështetëse të Bashkimit Evropian, që është miratuar në vlerën prej 75 milionë eurosh. Kësisoj, katër muajt e ardhshëm janë financuar nga BE, dhe si rezultat muajt shtator, tetor dhe nëntor janë financuar nga Qeveria, kurse në muajt dhjetor, janar, shkurt dhe mars, mbulimi është bërë nga fondet e BE-së, në shumën prej 15 milionë eurosh”, theksoi Murati.

Murati tha se si rezultat i subvencionimit, janë kursyer 88 milionë euro nga importi.

“Ka qenë mbi 200 mijë numri i familjeve që kanë përfituar çdo muaj dhe kanë qenë të kursyera shumë e shumë kë/h, të cilat nuk i kemi importuar. Po të ishin importuar gjithë ato kë/h, do të figuronte një import shtesë prej 88 milionë eurosh. Pra përmes kësaj mase mund të themi se kemi kursyer 88 milionë euro nga importi. Konsideroj se ky dimër, për rreth 200 mijë familje që kanë përfituar nga subvencionimi, ka qenë ndër dimrat më të lirë sa i përket kostos së energjisë elektrike. E falënderoj BE-në, si dhe qytetarët për vetëdijesim për kursim të energjisë elektrike”, u shpreh më tej ministri.

Ambasadori Tomas Szunyog, tha se nga subvencionimi i energjisë kanë përfituar mbi 200 familje, sipas tij subvencionimi që është bërë nga BE vetëm për këtë muaj kap vlerën e 50 milion euro.

Ai tha se mbështetja do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ne kemi mbuluar katër muaj, nga dhjetori deri në mars dhe mbi 200 familje kanë përfituar nga kjo masë. Mbështetja arrin deri në 50 milion për këtë muaj. Kursimi i energjisë është mënyra më e mirë për të kaluar këtë periudhë. Në të ardhmen pakoja e mbështetjes do të ofrojë mbështetje edhe në masa të tjera. Mbështetje financiare për të ju ndihmuar për ti paguar faturat e rrymës apo mjetet që përdorin për ngrohje, renovimin e ndërtesave , dritareve, instalimin e paneleve solare, mbështetje të bizneseve për të investuar në energji efiçente dhe instalim solar”, tha ai.

/Shqip.com