Lajme

Murati: Greva nuk është qasja e duhur e trajtimit të çështjeve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

“Greva nuk mendoj se është gjuha dhe qasja e duhur për trajtimin e çështjeve”.

Kështu deklaroi këtë të premte Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, derisa ka komentuar grevat e punëtorëve shëndetësorë të cilët po kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave.

“Ka shumë probleme që janë grumbulluar, por kësaj qeverie duhet t’i jepet kohë. Ne ende si kemi bërë një vit si qeveri, shto faktin që jemi duke u përballur edhe me pandeminë”.

“S’mund të zgjidhet çdo problem brenda një viti. Bëhet fjalë për fillim të mandatit”, tha Murati në emisionin “ArgumentPlus”, në RTV21.

Sa i përket Ligjit për Pagat, ka thënë se Qeveria Kurti ka vullnet për t’i mbështetur punëtorët.

Ministri Murati ka folur edhe për sektorin e gastronomisë dhe pandeminë COVID-19.

Ai ka arsyetuar mos lehtësimin e masave për këtë sektor duke thënë se “hapja e pakujdesshme në gastronomi mund të sjellë situata jo të mira”.

“Jemi shumë vigjilentë si qeveri që të marrim të gjitha masat në mënyrë goxha të kujdesur ashtu që të mos kemi situata ku sistemi shëndetësor rëndohet”, tha ai.

“I kuptoj edhe sektorin e gastronomisë për ankesat e tyre, mirëpo ja që fati ka qëlluar që përhapja të bëhet në ambiente ku ka frekuentim të madh të njerëzve dhe ku ka numër të madh të njerëzve për metër katror, prandaj duhet të marrim masa për këtë sektor”./SHQIP.com