Lajme

Murati fajëson LDK-në për rritjen e çmimeve

Hekuran Murati, ministri i Financave
Hekuran Murati, ministri i Financave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, për rritjen e çmimeve.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se Ligjin për çmimet tavan, LDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese, “prandaj qytetarët vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë se që do duhej për vaj, miell e bukë”.

“Çmimi i furnizimit nga importi për vaj ushqimor ka rënë në 1.05 euro/litër.  Çmimi i furnizimit nga importi për grurë ka rënë në 0.24 euro/kg”, ka shkruar Murati.

Ndërsa, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se parashikimi për vitin 2023 nuk është i mirë sa i përket rritjes ekonomike.

Sipas tij, rritja ekonomike pritet të jetë pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar.

“Në vitin 2023, rritja ekonomike pritet të jetë rreth 3.7 për qind, që është pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2022. Shpresa këtu mbetet tek stabilizimi i çmimeve në tregje ndërkombëtare. Nuk shihet në horizont ndonjë politikë ekonomike që mund të krijojë ndonjë moment të ri për t’i dhënë shtytje zhvillimit dhe punësimit në vitin 2023 dhe 2024”, ka shkruar Hoti në Facebook.

/Shqip.com