Lajme

Murati: Ekonomia e Kosovës po tregon qëndrueshmëri përkundër sfidave globale

Ministri i Ministrisë së financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se përkundër sfidave globale, ekonomia e Kosovës po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se ekonomia e Kosovës po vazhdon zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend”, shkroi Murati.

Si Qeveri , Murati përmend se kanë zhvilluar fushatë vaksinimi, subvencionim për çmimin e energjisë si dhe kanë mbështetur prodhuesit.

“Si qeveri kemi zhvilluar fushatën e vaksinimit më efektiven në rajon, gjë që ka mundësuar heqjen më të shpejtë të kufizimeve dhe hapjen e tërësishme të ekonomisë. Kemi subvencionuar çmimin e energjisë elektrike, gjë që mundëson bizneset tona të jenë më konkurrente dhe të rrisin eksportin. Kemi mbështetur prodhuesit në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, duke subvencionuar 20% të vlerës së kredisë investuese”.

Tutje, Murati tha se kanë rritur subvencione dhe kanë shpërndarë pako masash.

“Kemi rritur subvencionet në bujqësi duke trefishuar mbështetjen për grurin e duke rritur mbështetjen për produktet e kulturat tjera. Kemi miratuar e shpërndarë pako masash, më shumë se cilado qeveri tjetër, për të mbështetur familjet në nevojë e rritur fuqinë e tyre blerëse”.

Ndërsa sipas Muratit këto nuk janë të gjitha sepse si Qeveri kanë marrur masa dhe veprime në shërbim të mbështetjes ekonomike./Shqip.com