Lajme

Murati: E kemi llogaritur mirë vlerën e koeficientit, nuk ka hamendësime

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar që kritikat e opozitës, se vlera e koeficientit është bërë në mënyrë paushalle, nuk qëndron.

Ai ka thënë se kjo vlerë është përllogaritur me detaje dhe se nuk bëhet fjalë për hamendësime, duke i quajtur propozime paushalle pikërisht ato të opozitës.

“Çka ka qenë e radhës që kjo të përpjesëtohet me buxhetin e alokuar për pagat në mënyrë që të nxirret vlera për një koeficient, është vlerë e llogaritur dhe nuk ka as hamendësim as paushallitet. Ata që flasin për shifra 120 herë 125 e 139 e 132 ata flasin për shifra paushallë pa e ditë për ndikimin buxhetor”, ka thënë ai.

Ministri Murati ka treguar se si është bërë llogaritja për të vendosur vlerën e koeficientit 105 euro.

“Bëhet fjalë për përcaktimin e vlerës së koeficientit që i ngërthen dy ligje ligjin e buxhetit dhe ligjin e pagave. Ligji i Pagave ka kaluar që dy muaj, aty janë përcaktu nivelet për secilin pozitë sa është niveli i koeficienteve për secilën pozitë, dikuj i është caktuar 5 dikuj 6 e kështu me radhë.

Çka na ka mbetur neve është që të marrin nga të gjitha organizatat buxhetore këtë e ka bërë MPB, ka kërku klasifikimin e të gjitha pozitave, qoftë komunat qoftë ministritë kanë dorëzu listat për të tregu sa persona kanë funksion me koeficiente ta zëmë 6 a po 7  e kështu”, ka theksuar ministri Murati.

Sipas tij, listat janë grumbulluar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe është dorëzuar tërësia e koeficientëve.

“Tërësia është 480 mijë në gjithë Administratën Publike. Mesatarja i bjen te 6. Vlera totale e buxhetit është 745.5 milionë euro, kurse shtesat përafërsisht janë diku 12% e pagës bazë 105.5 milionë euro. Në vitin e kaluar shpenzimet për paga ka qenë 640 milionë euro. Shpenzimi pa shtesa të pandemisë ka qenë 640 milionë për paga të rregullta”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Pagat me koeficient të ri, punëtorët e sektorit publik do t’i marrin muajin e ardhshëm.

/Shqip.com