Lajme

Murati: 25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar këtë muaj për përballje me inflacionin

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se 25 mijë familje kanë marrë asistencën sociale të dyfishuar për muajin shtator, këtë javë që po lëmë pas.

Ai ka thënë se kjo ishte njëra nga masat e pakos për përballje me inflacionin, që sipas tij,  sadopak lehtëson barrën e atyre familjeve që më së shumti kanë nevojë për mbështetjen e shtetit.

“Mirëpo për të bërë zgjidhje afatgjatë për të rregulluar skemat sociale e pensionale, një reformë gjithëpërfshirëse është e domosdoshme.

Për këtë, na duhet miratimi në Kuvend i marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Botërore, që parasheh reformimin e skemave sociale, dhe krijon regjistrin social e integron sistemet, gjë që hap rrugë edhe për reformën e sistemit pensional. 

Prandaj për herë të tretë kemi dërguar këtë marrëveshje në Kuvend, duke llogaritur se kësaj radhe do të gjej mbështetjen e nevojshme të 2/3 të deputetëve për tu ratifikuar”.

Tutje ai ka thënë se janë rreth 100 mijë persona përfitues nga skema sociale dhe mbi 200 mijë përfitues të pensioneve të moshës e kontributive të cilët po presin që kjo marrëveshje të kalojë./SHQIP.com