Lajme

Mungon gjykatësja, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Euro

Për shkak të mungesës së gjykatëses Shadije Gërguri është shtyrë seanca e cila është paraparë të mbahet sot në rastin e të akuzuarve për vjedhjen e mbi 2 milion eurove nga thesari i shtetit.

Sipas Betimit për Drejtësi  seanca e radhës është caktuar më 13 qershor të këtij viti. Ndërsa mungesa e gjyqetares thuhet se ishte për shkak të një urgjence.

Vitin e kaluar, Prokuroria ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit

Ndërkaq, thuhet se Shala akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në aktakuzat e ngritura për Labinot Gruden thuhet se veprat penale i kreu në cilësinë e personit zyrtar ndërsa, Kadri Shala ishte I autorizuari ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK” I cili ia kishte mundësuar Grudes transferimin e parave në këtë subjekt.

“Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.

Shuma prej 2 milion e 77 mijë e 995 euro e 90 centë ishte transferuar fillimisht në llogarinë bankare të “LDA Group SHPK”./Shqip.com