Lajme

Mungojnë Sveçla, Molliqaj e disa ish-aktivistë të VV-së, shtyhet seanca gjyqësore

Për shkak të mungesës të të akuzuarave ministrit Xhelal Sveçla,  si dhe Dardan Molliqajt, Pajtim Havollit, Arsim Maqastenës  Agron Kabashit , Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit, Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e së mërkurës, ka vendosur që ndaj tyre të veçohet procedura, në rastin ku ata po akuzohen për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës.

Gjykatësi Eroll Gashi njoftoi se ndaj tyre gjykata do lëshojë  urdhërarrest ose sjellje me detyrim.

Ndërkaq, seanca po vazhdon me tre te pandehurit tjerë prezent në seancë Egon Azemi Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha, të cilët nuk janë pajtuar që të veçohet kjo procedurë, por gjykata duke u bazuar ne nenin 35 të Kodit të Procedurës Penale mori vendim dhe veçoi procedurën penale ndaj tyre.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Sipas aktakuzës, në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të akuzuarit kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.

/Shqip.com