Kulturë

Mungesa e leximit dhe varësia pas rrjeteve sociale

Mungesa e leximit dhe varësia pas rrjeteve sociale
Mungesa e leximit dhe varësia pas rrjeteve sociale

Lexim është formë e mësimit, duke i komentuar pjesët letrare e duke dhënë edhe njohuri të tjera nga fusha të ndryshme. Pra, leximi është procesi i marrjes së kuptimit.

Ndryshe, leximi kritik është një formë e analizës gjuhësore që nuk merr tekstin e dhënë në vlerë nominale, por përfshin një shqyrtim më të thellë të pretendimeve të paraqitura, si dhe pikat mbështetëse dhe kundërshtimet e mundshme.

Ndërsa, interneti është një sistem mbarëbotëror i rrjeteve kompjuterike, pra një rrjet në të cilin përdoruesit e çdo kompjuteri munden të marrin informacion të ndryshme.

Në këtë kontekst, se çfarë ndikimi ka interneti në lexim, shkrimtari i njohur, njëherësh studiues i letërsisë shqipe, Gëzim Aliu, për Shqip.com, ka thënë se, në shikim të parë, ka ndikim pozitiv, sepse falë internetit, është shumë më i lehtë hulumtimi dhe gjetja e titujve të ndryshëm, leximi i recensioneve, vlerësimeve, kritikave, studimeve etj. Por, në anën tjetër, interneti, ky rrjet i pafund informacionesh, lajmesh, videosh, mundësish argëtimi, shoqëruar edhe me rrjetet sociale, e ka larguar lexuesin e mundshëm nga leximi i librave.

Shkrimtari i njohur, njëherësh studiues i letërsisë shqipe, Gëzim Aliu

Përdoruesit e internetit mund të lexojnë ndonjë pjesë të ndonjë libri, madje edhe paragraf dhe shpesh, fatkeqësisht, kaq u mjafton. Por, siç e dimë, të lexuarit është aktivitet që nuk nis e nuk përfundon me një pjesë a paragraf libri”, ka thënë Aliu.

E, sociologu Labinot Kunushevci, për Shqip.com, ka thënë se, interneti ka ndikim të fuqishëm në kulturën e leximit pasi zëvendëson jo vetëm shprehinë e të lexuarit, por edhe mënyrën, përmbajtjen, konsumimin, përdorimin dhe qasjen në raport me të.

Interneti ofron informacione të shpejta, lehtë të qasshme, por me problematika nga mungesa e kontrollit, nga paaftësia e verifikimit të informacioneve dhe dijeve të sakta shkencore, nga fragmentarizimi i dijes, nga përdorimi i tyre jashtë kontekstit dhe specifikave adekuate, nga llojllojshmëria e materialeve, botimeve dhe versioneve të ekspozuara”, ka thënë Kunushevci.

Lidhur me çmimet e librave se a janë arsye shtesë që (sidomos të rinjtë) të fokusohen më shumë pas internetit, shkrimtari Aliu ka thënë se, në Kosovë çmimet e librave janë relativisht të shtrenjtë. Madje, edhe libra me pak faqe, sipas tij, shiten jo edhe aq lirë.

Po ta marrim parasysh gjendjen e përgjithshme ekonomike, me të vërtetë nuk është edhe e lehtë për studentët, të rinjtë, por edhe të tjerët që kanë paga të rregullta, të blejnë libra. Megjithatë, mendoj se çmimi i librave nuk është problemi kryesor, madje as ‘pushtimi’ i internetit dhe rrjeteve sociale. Është mungesa e kulturës së leximit. Të rinjtë, studentët, edhe të tjerët, mund t’i lënë anash nja gjashtë-shtatë kafe në muaj e dikush edhe nja dy paqeta duhan, e me ato para ‘të kursyera’, ta blejnë një libër të mirë. Leximi i atij libri mund t’i pasurojë shumë”, ka thënë shkrimtari Gëzim Aliu.

Gjithashtu, edhe sociologu Kunushevci, çmimin e librave nuk e shoh si arsye racionale dhe ekonomike për mos blerjen e tyre, duke ditur se po këta të rinj që arsyetohen në çmimet e larta të librave, sipas tij, shpesh herë nuk dinë të kursejnë në shpenzime tjera, pasi janë frekuentues aktivë në shumë sfera.

Sociologu i njohur, Labinot Kunushevci

Pra, shpenzojnë para për aktivitete sportive, në kafiteri të ndryshme, bëjnë udhëtime, janë klientë të qendrave tregtare e konsumatorë të restoranteve, ndërsa kur vjen puna te çmimi i një libri, hezitojnë. Arsyetimi në çmimet e larta të librit është hipokrizi. Libri asnjëherë nuk është i shtrenjtë, asnjëherë nuk është luks. Kjo flet për kulturën e prioritetit. Sepse ata që janë të pasionuar pas dijes, gjejnë forma, bëjnë sakrifica, kursejnë e ndoshta edhe punojnë, që të arrijnë deri tek një libër i mirë”, ka thënë sociologu Labinot Kunushevci.

Ndërsa, lidhur me varësinë pas rrjeteve sociale, duke e lënë anash librin, shkrimtari Gëzim Aliu mendon se, padyshim që ka varësi, madje, sipas tij, varësi të rëndë.

Te ne shumica e njerëzve kanë ngecur në rrjetet sociale, janë bërë robër të tyre, varshmëria ndoshta ka arritur nivelet e drogimit masiv. Çfarë lexojnë përdoruesit në rrjete sociale janë copëra të shkëputura tekstesh, komente, ndonjë titull ekskluziv, por aktivitet kryesor është shikimi i videove, kryesisht videove pa lidhje, pa cilësi, nga të cilat nuk ka ndonjë përfitim intelektual e kulturor. Pra, pak a shumë, në rrjete sociale kemi bjerrje të kohës, sharje pa fund, komente pa kurrfarë përgjegjësie, shitmendje, është vërshim i madh, që po ngufat shoqërinë”, ka thënë Aliu.

Ilustrim

Tutje, sipas tij, do të ishte mirë që njerëzit të shkoqeshin pak nga rrjetet sociale e të ‘jetonin’.

Dijeni, jeta reale është përtej rrjeteve sociale, dilni e shëtituni në natyrë, përpiquni të mendoni, të meditoni, lexojeni ndonjë libër të bukur, bëjeni ndonjë bisedë të mirë me familjarë, me miq. Jeta është me të vërtetë tepër e shkurtër që ta humbim në rrjete sociale. Ato rrjete janë krijuar që dikush të pasurohet. Jam i bindur që krijuesit e tyre nuk kanë llogari në rrjete sociale”, ka thënë në fund, për Shqip.com, shkrimtari Gëzim Aliu.

Gjithashtu, edhe sociologu Kunushevci mendon se rrjetet sociale kanë krijuar varësi ekstreme duke i shkëputur njerëzit nga leximi i librave.

Do të thotë që sot libri nuk përjetohet më si kulturë, si pasion, si privilegj, siç ishte dikur. Sepse libri krijon prestigj. Inteligjenca artificiale është një problem që do ta sfidojë edhe më shumë librin dhe do ta thellojë në krizë. Njerëzit po edukohen dhe po u krijohen prirje të reja të cilat po shndërrohen në principe kulturore, që informacionin apo dijen ta marrin nga teknologjitë dixhitale të cilat dinë të krijojnë jo rrallë herë iluzione. Rrjetet sociale kanë prekur edhe emocionalitetin e njeriut, ato ngacmojnë hormonet e njeriut, ato manifestojnë pasionet e njeriut, prandaj kanë fuqi ta sfidojnë librin”, ka thënë në fund, për Shqip.com, sociologu Labinot Kunushevci.

/Shqip.com