Lajme

Mungesa e bazës së qartë ligjore kthen në zero zgjedhjen e drejtorit të ri të RTK-së

Radio Televizioni i Kosovës (RTK)
Radio Televizioni i Kosovës (RTK)

Mungesa e bazës së qartë ligjore ka bërë që të dështoi zgjedhja e drejtorit të ri të Radio Televizionit të Kosovës.

Bordi i RTK-së ka thënë se e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos  e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-se.

“Bordi i RTK-së sqaron opinionin publik se historikisht gjatë procedurave për konkurse publike, RTK i është referuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik”, thuhet në komunikatë.

Sipas bordit të RTK-së, i njëjti Udhëzim Administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, zyra ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti  proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm.

“Gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, bordi ka vërejtur që zbatimi i këtij udhëzimi në këtë proces është problematik sepse parasheh procedurë të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, në shpërpushje me Ligjin për RTK-në”, thuhet në komunikatën e RTK-së./Shqip.com