Lajme

Muja: Vlaskoviq ka dosje kriminale, i papranueshëm lirimi i tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së, Armend Muja, e ka cilësuar të papranueshëm lirimin në dorëzani, të Nemanja Vlaskoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve gjatë tensioneve në veri.

Muja, tha se gjyqtari ka pasur opsione të tjera që parashihen me Kodin Penal, të Kosovës.

“Është tërësisht i papranueshëm dhe i gabuar një vendim i tillë nga ana e gjyqtarit kur ka pasur qindra opsione tjera të parapara me Kodin Penal”, ka shkruar ai në Facebook.

Muja tha se Vlaskvoqi, ka dosje kriminale dhe është pjesë e grupit kriminal “Udarna Ekipa”.

“Vetëm njëri prej të liruarve në dorëzani, Nemanja Vlaskoviq, që së fundmi ka sulmuar gazetarët ka dosje të thukët kriminale. Ai përveç tjerash ka punuar në komunën paralele të Leposaviqit. Po ashtu ai është pjesë e grupit kriminal ‘’Udarna Ekipa’’, që merren me sulme të befasishme me mjete të forta dhe shpërthyese ndaj PK-së, Qeverisë etj. Po ashtu i dyshohet edhe per vepra tjera.”, ka thënë ai.

/Shqip.com