Lajme

Muja: Kërkesa e PDK-së për rrëzimin e vendimit të ZRRE-së është e paligjshme, opozita po kërkon kolaps energjetik

Armend Muja - deputet LVV

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit për ta rrëzuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritje të çmimit të energjisë, nuk është i saktë, derisa ka thënë se kërkesa e PDK-së është e paligjshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Muja ka thënë se Gjykata e Apelit nuk e ka rikthyer në pikën zero vendimin e ZRRE-së.

“Gjykata nuk ka marrë vendim që me kthy në pikën zero. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e PDK-së që të pezullohet vendimi deri sa të ketë aktgjykim të formës së prerë. Baza e kërkesës është e paligjshme”, ka thënë ai.

“Unë besoj që ka një përpjekje e opozitës që të ketë një koordinim të plotë e që të pamundësohet ose që Kosova të vendoset në një kolaps energjetik. Opozita duhet të ketë parasysh se këto përpjekje, unë besoj se janë të pamatura. Por megjithatë Kosova njihet për organizimin e mirë të krizës energjetike”, tha Muja.

Theksojmë se shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, ka thënë se ZRRE-ja duhet ta zbatoj vendimin e Gjykatës së Apelit sa i përket tarifimit të energjisë elektrike dhe se ZRRE-ja, duhet ta përfill këtë vendim dhe mos të krijojë paqartësi tek KESCO.

“Ju e dini që PDK ka pas një angazhim të madh me ardh deri të momenti ku do të pezullohen tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike. Këtë gjë e kemi arrit. Gjykata e Apelit ka marr vendin që është në favorin e kërkesës tonë”.

“Ajo që është shqetësuese se lexojmë lajme se KESCO ka paqartësi nga ZRRE-ja për tarifat e energjisë elektrike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Mendoj se këtu ZRRE-ja duhet ta ndal çfarëdo tendence që ka që të mos respektohet ky vendim. Ata kanë thënë vetë se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, por siç duket nuk ka dhënë qartësi te KESCO”.

Lexo edhe:
KESCO kërkon sqarime nga ZRRE rreth faturimit të konsumatorëve

Tahiri thekson se vendimi i gjyaktës është shumë i qartë dhe duhet të respektohet.

“Ne e kemi dokumentuar edhe si PDK që këtu edhe gjatë këtyre mujove, shkurt mars e tutje vendi ynë ka prodhuar energji të mjaftueshme për konsumin edhe kur ka qenen ftohte e kemi pas shpenzim të lartë. Importi në vendin tonë ka qenë shumë i vogël. Kjo rritje është e paarsyeshme, sepse importi është shumë i vogël. Ne kemi eksportuar 10 fishin e asaj që kemi importuar. Prandaj, i bëjë thirrje ZRRE-së që të mos krijoj paqartësi e konfuzion, të respektohet në plotin vendimi i Gjykatës Themelore që vendi ynë të tarifohet me tarifat e lira”, u shpreh ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se në Komisionet Parlamentare po diskutohet mundësia e shkarkimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Nëse kjo nuk ndodh, Gashi ka thënë se do të gjinden mënyra tjera për shkarkimin e këtij Bordi./Shqip.com