Lajme

MPJD vendos kusht për vizitën e Patriarkut të Kishës Ortodokse në Patriarkanën e Pejës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë një sqarim lidhur me kërkesën për vizitë në Patriarkanën e Pejës të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS).

Përmes një komunikate për media, MPJ-ja ka thënë se vizita e patriarkut mund të konfirmohet pasi të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it të cilët kanë hyrë ilegalisht në Kosovë dhe janë duke i dhënë përkrahje grupeve kriminale në veri.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton se ditën e premte (23 dhjetor), përmes kanaleve zyrtare, ka pranuar kërkesën për lejimin e vizitës treditore (26-28 dhjetor 2022) të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirje në Republikën e Kosovës. Pas shqyrtimit të kërkesës, MPJD është përgjigjur se vizita e Porfirjes, do të mund të aprovohet vetëm pasi Kisha Ortodokse Serbe të ketë dënuar, respektivisht të jetë distancuar nga veprimet e pjesëtarëve të KOS-it, të cilët, duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, janë duke i dhënë përkrahje të hapur grupeve kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për barrikadat e vendosura atje”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Sipas MPJ-së, kërkesa e Profirijes nuk është refuzuar ashtu siç po thuhet në media, por është ndërlidhur vetëm me distancim nga aktet e dhunës.

“Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar, siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe veprimet e lartpërmendura. Një qëndrim i tillë i institucioneve të Kosovës është determinuar nga fakti që prifti ortodoks Predrag Popoviq, nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas në Rakovicë, afër Beogradit, ditë më parë kishte pranuar publikisht se ditën e martë të javës së kaluar kishte kaluar ilegalisht kufirin e Republikës e Kosovës dhe duke përdorur rrugët anësore –sipas tij për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, i kishte vizituar dhe përkrahur protestuesit në barrikadat në Leposaviq”.

Lidhur me këto  ngjarje janë njoftuar edhe vendet e QUINT-it.

“Me qëllim të sqarimit të qëndrimit të vërtetë të Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth kësaj çështjeje, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, ka kontaktuar fillimisht përfaqësuesit e misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it, ku ka bërë të qartë se deklarata e KOS-it është e pavërtetë, pasi kërkesa si e tillë nuk është refuzuar, por është ndërlidhur me distancimin nga aktet e dhunës dhe deklarimin se nuk qëndron prapa veprimeve të përfaqësuesve të saj, si në rastin e priftit ortodoks Popoviq”.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Kisha Ortodokse Serbe ka dal me një deklaratë për media ku thuhet se autoritetet e Kosovës kanë ndaluar Proferijen që ta vizitoj Patriarkanën e Pejës përpara Krishtlindjeve ortodokse.

Lidhur me këtë kishte reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës, zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Petkoviq ka thënë se Kosova po vazhdon me një formë tjetër që t’i shtypë serbët që jetojnë këtu.

/Shqip.com