Lajme

MPJ dënohet me gjobë 13 mijë euro, nga gjoba nuk shpëtojnë as Komuna e Kaçanikut, Oda e Avokatëve dhe AKI

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është dënuar me 13 mijë euro për shkak se nuk ka ofruar qasje në dokumente publike.

Kështu ka bërë të ditur për Shqip.com, Jeton Arifi- Drejtori i Departamenti për Qasje në Dokumente Publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP)

“AIP ka shqiptuar gjobë prej €13.000 ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës më 22 korrik 2022. Arsye e gjobitjes lidhet me moszbatimin e vendimit të AIP për të ofruar qasje në dokumentet publike, të kërkuara nga ky institucion publik. Gjoba është paguar brenda afatit ligjor, siç është paraparë në vendim” ka thënë Arifi.

Agjencia për informim dhe privatësi

Pos Ministrisë janë edhe 3 institucione të cilat nuk kanë shpëtuar pa gjobë.

“AIP, në fushën e qasjes në dokumente publike, ka shqiptuar edhe tri gjoba tjera administrative Komunës së Kaçanikut, Odës së Avokatëve, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë” thotë Arifi.

Gjithashtu është bërë e ditur se Agjencia këto ditë, respektivisht, nga sot e deri të premten, në kuadër të Javës së Qasjes në Dokumente Publike, do të zhvillojë tryeza me kryetarët e komunave, kryetarët e gjykatave dhe prokurorët e prokurorive, përfaqësuesit e mediumeve dhe OJQ-ve, institucionet qeveritare dhe krerët e ndërmarrjeve publike.

Temë boshte e këtyre tryezave do të jetë publikimi  me vetiniciativë i dokumenteve publike nga institucionet e shtetit, thotë Arifi./Shqip.com