Lajme

MPB jep detaje pas vërshimeve e përmbytjeve

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për situatën gjatë natës, pas vërshimeve e përmbytjeve në disa pjesë të vendit.

Sipas MPB-së, ka qenë një natë e qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara.

Ministria ka thënë se po vazhdohet angazhimi me pompa për largimin e ujit në shtëpitë ku ka pasur përmbytje dhe se po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet

“Nga mbledhja e raporteve periodike të të gjitha institucioneve relevante, pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ynë ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara. Njësitet profesionale të AME-së po vazhdojnë angazhimin me pompa për largimin e ujit në shtëpitë dhe në zonat ku ka pasur përmbytje nga vërshimet. Aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet. Në fokus vazhdojnë të jenë kërkesat dhe nevojat e familjeve që janë evakuuar dy ditët e fundit.

Qendra Operative Emergjente e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të vazhdojë koordinimin ndër-institucional me qëllim të reagimit në rastet e nevojshme dhe ndaj kërkesave të mundshme që do i pranojë nga Komunat dhe nga qytetarët”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

/Shqip.com