Lajme

Motoçiklisti gjuan me armë zjarri në drejtim të një veture në Prishtinë

Sot gjatë ditës së hënë një person me motoçikletë dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një veture në lagjen Muharrem Fejza në Prishtinë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti tha se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari”, në të cilën Policia ka dal menjëherë.

“Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar,  nga një  motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture. Nuk raportohet për persona të lënduar”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, ngjarja ka ndodhur saktësisht në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari”.

“Rreth orës 15:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Arbnor dhe Astrit Dehari në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti.

Tutje, Ahmeti tha se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit i cili është cilësuar vrasje në tentativë.

/Shqip.com