Lajme Botë

Moska: ‘Rusofobia’ e shteteve baltike do të dëmtojë më tej lidhjet

Oficerët e policisë dhe media shikojnë se si obelisku 80 metra i gjatë është rrëzuar, gjatë çmontimit të monumentit të fitores sovjetike të Luftës së Dytë Botërore, në Riga, Letoni, 25 gusht 2022

Rusia dënoi shkatërrimin e memorialëve të luftës sovjetike në tre shtetet baltike: Letoni, Lituani dhe Estoni, duke i akuzuar ato për persekutim të pakicave ruse.

Në një deklaratë, Moska tha se tre shtetet baltike ishin fajtore për ksenofobinë, duke thënë se po i trajtonin pakicat e tyre etnike ruse si “njerëz të klasit të dytë” duke u mbyllur shkollat, kopshtet dhe mediat në gjuhën ruse.

Siç raporton Reuters, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova deklaroi se kjo situatë natyrisht se do të ndikoj në raportet e Kremlinit me të tria vendet.

“Ajo që po ndodh tani në shtetet baltike është e papranueshme për ne dhe sigurisht që do të ndikojë në gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe me këto vende, të cilat tashmë janë në rënie të plotë”, deklaroi Zakharova.

Maria Zakharova, ankohej për “qasje rusofobike” dhe “një fushatë të paprecedentë, në fakt të afërt me fashiste, nga autoritetet e shteteve baltike për të hequr barbarisht dhe masivisht, memorialët e ushtarëve-çlirimtarë sovjetikë”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova

Një tjetër akuzë që e ngriste Zakharova drejt shteteve baltike më 12 gusht kishte qenë “bachanalia neo-naziste”.

Akuza “neo-naziste” është e rëndësishme sepse presidenti, Vladimir Putin përdori të njëjtën akuzë për të justifikuar pushtimin e tij të Ukrainës më 24 shkurt. Ukraina dhe Perëndimi e hodhën poshtë këtë si një pretekst të rremë për një luftë pushtuese.

Shtetet baltike u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940, më pas u pushtuan nga Gjermania naziste përpara se të ktheheshin në sundimin e Moskës si pjesë e bllokut komunist Sovjetik derisa ata rifituan pavarësinë me rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991.

Të tre janë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe marrëdhëniet e tyre me Moskën janë përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë.

Më 25 gusht, autoritetet letoneze shkatërruan “Monumentin e Çliruesve të Letonisë Sovjetike dhe Rigës nga pushtuesit fashistë gjermanë”. Parlamenti i Letonisë kishte miratuar prishjen në maj dhe përmendi pushtimin rus të Ukrainës si arsye.

Estonia njoftoi po ashtu se do të filloj heqjen e monumenteve të epokës sovjetike, duke përmendur shqetësimet e rendit publik./Shqip.com