Lajme Botë

Moska i fut në listë të zezë kryeministren e Estonisë dhe dhjetëra zyrtarë baltikë

Moska / Rusi
Moska / Rusi

Moska e ka futur kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, në listën e zezë të Rusisë për gjoja “shkatërrimin e monumenteve të ushtarëve sovjetikë”.

Ajo është liderja e parë e huaj që futet në listën e Ministrisë së Brendshme ruse, teksa marrëdhëniet mes Kremlinit dhe Perëndimit vazhdojnë të tregojnë shenja përkeqësimi.

Ky lajm u konfirmua të martën nga Ministria e Jashtme ruse, e cila, megjithatë, nuk tregoi se kur Kallas, si dhe sekretari i Shtetit i Estonisë, Taimar Peterkop, ministri i Kulturës i Lituanisë, Simonas Kairys, dhe rreth 60 nga 100 anëtarët e Parlamentit të kaluar të Letonisë u futën në listën e zezë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Kallasi kërkohet nga Moska për shkak të “përdhosjes së kujtesës historike”.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

“Kremlini tani shpreson se ky vendim do të ndihmojë të më heshtë mua dhe të tjerët – por nuk do t’ia arrijë”, tha Kallas në një postim në rrjetin social X.

“Unë do të vazhdoj ta mbështes fuqishëm Ukrainën. Do të vazhdoj ta ngre zërin për forcimin e mbrojtjes së Evropës”, tha ajo, duke shtuar se vendimi i Rusisë nuk ishte “aspak befasues”.

Pre se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para gati dy vjetëve, Estonia, Letonia, Lituania dhe shumë ish-republika sovjetike dhe anëtare të ish-paktit të Varshavës, i kanë shkatërruar monumentet e epokës sovjetike.

Tri vendet baltike u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940 dhe u okupuan nga Gjermania naziste, para se të binin përsëri nën sundimin e Moskës derisa e fituan pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Këto tri vende tani janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, si dhe e mbështesin fuqishëm Ukrainën në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.

Kallas u bë kryeministre e Estonisë më 2021 dhe menjëherë u zotua se do t’i shkatërronte hiç më pak se 400 monumente të cilat shihet si trashëgimi e padëshiruar nga epoka sovjetike. /REL

/Shqip.com