Lajme

Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit, rrezikohet vazhdimi i procesit mësimor

Ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve nuk ka ekzekutuar pagat për muajin shtator për grevistët.

Anëtari i Këshillit Grevist, Fejzullah Vranovci tha për Shqip.com se ata janë të detyruar që të ndërmarrin masa në rast se nuk ekzekutohen pagat.

“Ne jemi duke pritur edhe sot gjatë ditës që të ekzekutohen pagat. Mendoj se situata aktuale është e vështirë shumë për ne si mësimdhenës. Ne jemi duke pritur deri në ora 16:00, nëse do të ketë reagim nga Qeveria sepse në rast se nuk ndodhë diçka e ngjashme, ne do të jemi të detyruar që ndërmarrim diçka ndryshe prej herave të kaluara”, tha Vranovci.
Mosekzekutimi i pagave veçse ishte paralajmëruar edhe më herët.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur vetëm disa ditë pas deklarimit të grevës, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se nuk do të ketë paga për ata të cilët nuk dalin në punë.

Atë ditë, Murati u kishte bërë thirrje edhe komunave që të përgatisin listat e atyre që nuk janë duke shkuar në punë dhe se nuk do kishte kuptim të paguheshin ata që nuk shkojnë në punë.

Ndërsa sot gjatë ditës, ka reaguar edhe kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj. Në një reagim publik, ai ka thënë se mosekzekutimi i pagave është shënjë jo e mirë nga Qeveria.

Ai e ka përmendur 5 tetorin si datë të fundit, deri kur këta do të presin për ekzekutimin e pagave.  Ndryshe Jasharaj ka deklaruar se pas asaj date, ata do të jenë të detyruar që të reagojnë.


Kujtojmë se Jasharaj para disa ditëve ka dorëzuar një kallëzim penal kundër ministrit Murati./Shqip.com