Lajme

Mos votimi i projektligjeve, pozita kërkon bashkëpunim, opozita e fajëson për injorim

Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Gjatë këtij viti në shumicën e seancave plenare në Kuvendin e Kosovës, një numër i madh i projektligjeve janë bartur nga një seancë në tjetrën.

Kjo bartje e projektligjeve ka ndodhur për shumë arsye. Njëra ndër arsyet kryesore është edhe mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit.

Por në shumicën e rasteve edhe deputetët e opozitës e kanë bojkotuar seancën ose janë larguar nga seanca duke pamundësuar miratimin e projektligjeve.

Lidhur më këtë, pozita e opozita fajësojnë njëra tjetrën për mosbashkëpunim, duke konsideruar se krejt kjo po ndodh për inate politike dhe se krejt kjo po shkon në dëm të qytetarëve.

Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje u ka bërë thirrje deputetëve opozitar që t’i përkrahin iniciativat ligjore ngase po cenohet interesi i qytetarit.

Fatmire Kollçakudeputete e Lëvizjes Vetëvendosje

“Tradicionalisht mazhoranca duhet t’i sigurojë votat për projektligjet dhe çështjet që janë me rëndësi për vetë qeverinë aktuale që të votohen. Mirëpo kishte qenë mirë që në parim edhe opozita të mbështes iniciativa të cilat e përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Kollçaku.

Në anën tjetër, deputeti i Listës “Guxo”, pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Haxhi Avdyli, tha se vonesat e miratimit të ligjeve vijnë si rezultat edhe i procedurave.

Haxhi Avdyli, deputet i Kuvendit të Kosovës

“Në të shumtën e rasteve vonesat që vijnë janë të arsyeshme sepse ajo rrjedha e ligjeve fillon nga ministria. Ne nuk do të lejojmë që të kalojnë ligje jo të mira për qytetarët. Mendoj që nuk ka vend për dëmtim, por disa ligje kur ne i shohim se nuk përkojnë me realitetin e tanishëm dhe duhet të ndryshohet. Dëmtimi më i madh është nëse zvogëlohet buxheti, pastaj ka mungesa të barnave sesa për ligje sepse ligje ka. Por gjithmonë duhet të shikohet nëse ka parregullsi apo keqmenaxhim atëherë mund ta dëmtojnë drejtpërdrejtë qytetarin”, tha Avdyli.

Valentina Bunjaku nga LDK-ja thotë se secili projektligj që shkon në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet është në dëm të qytetarëve.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku

“Secili projektligj që vjen në Kuvendin e Kosovës dhe që nuk votohet normalisht që dëmtohet qytetarët e vendit. Por kjo është përgjegjësi e Qeverisë dhe mazhorancës sepse kanë mbi 58 deputet ku përgjegjësia është e tyre të sjellin projektligje dhe të votojnë. Ato projektligje t’i shërbejnë qytetarëve të Kosovës”, thotë Bunjaku.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se nuk është përgjegjësi e opozitës, por mazhorancës që të funksionojnë Parlamenti dhe të miratohen ligjet.

Pal Lekaj- deputet i AAK-së

“Sa i përket mazhorancës e ka përgjegjësinë e plotë që të funksionojnë parlamenti dhe të miratojë ligjet. Nuk është përgjegjësi e opozitës, mirëpo ne si grup i AAK kemi bërë më të mirën e mundshme. Çdo herë kemi qenë konstruktiv sepse ka dominuar interesi i qytetarëve dhe jo interesi i partisë politike. Shpesh kemi votuar ligje. Por kjo nuk do të thotë që përgjegjësia mbi ne, por mbi Qeverinë e Kosovës dhe mazhorancën”.

Mes tjerash, Lekaj potencoi se nëse vazhdohet me këtë injorancë nga mazhoranca, nuk ka kuptim që kjo Qeveri të vazhdojë punën./Shqip.com