Lajme

“Mos na largoni nga Kosova”, specializantët protestojnë para MSh-së

Protesta e specializantëve para Ministrisë së Shëndetësisë

Një grup i Specializantëve kanë protestuar këtë të enjte para Ministrisë së Shëndetësisë pasi siç kanë vlerësuar, diskriminimi ndaj tyre veç është duke u thelluar edhe më shumë.

“Mos na largoni nga Kosova”, “Specializantët qe 1 vit në rrugë”, “Vlerësoni mjekët”, “Derisa presim të pjekën kushtet, na u kalbën dëshirat”, “Ndaleni ‘ikjen e trurit’”, ishin disa nga mbishkrimet që u vendosën në hyrje të këtij dikasteri.

Specializantët po kërkojnë që edhe ata që janë me subvencione të marrin statusin e specializantëve të rregullt, të marrin pagë të dinjitetshme e që pagat të mos u vonohen.

Po ashtu, kanë kërkuar edhe pagesat për kujdestaritë, por edhe që nëntë specializantët nga Maqedonia, Mali i Zi e Shqipëria të paguhen e të mos mbesin pa asnjë cent.

Specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), kanë protestuar edhe më herët para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kërkesa e tyre që t’u paguhen orët e kujdestarive është refuzuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

Të njëjtit kanë paralajmëruar se nëse s’u përmbushen kërkesat, do të vazhdohet me protesta./SHQIP.com