Lajme

“Mos e kanë fjalën për 1 prill?”, Kurti tallet me paralajmërimet për zgjedhje të parakohshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është tallur me deklaratat e opozitës, se në prill të vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje.

Kurti ka ironizuar duke thënë se “mos e kanë fjalën për 1 prill?”, duke aluduar kështu në ditën që njihet si “Dita e gënjeshtrave”.

“Kur kanë menduar për zgjedhje në prill, duhet ta pyesni mos e ka pas fjalën për 1 prill. Unë ua uroj Vitin e Ri edhe z.Abdixhikut dhe opozitës në përgjithësi, ju dëshiroj gjitha të mirat në vitin 2022. Unë me të vërtetë jam i zënë dhe nganjëherë më duhet të mungoj në disa aktivitete të tjera, por duket z.Abdixhiku është më i zënë se unë me subjektin e tij politik, dhe prandaj mungon shpesh”, është shprehur shefi i qeverisë në konferencë për media.

Mes tjerash, ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, të cilin e ka cilësuar si të dobishëm.

Ndërsa, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Kurti ka thënë se “duhet të ndryshojë Serbia”.

“Është e vërtetë që janë zhvilluar vetëm dy takime në vitin 2021 midis meje dhe presidentit të Serbisë, por nuk ka qenë i padobishëm procesi i bisedimeve në Bruksel. Atje kemi arritur një marrëveshje sa i përket reciprocitetit të targave”.

Kryministri Kurti po ashtu e ka falënderuar homologun e tij në Shqipëri, Edi Ramën, për dy ditët e dhurimit të energjisë elektrike që Qeveria shqiptare i ka bërë asaj kosovare.

Ai është shprehur se kompensimi nga ana e Kosovës do të bëhet gjatë verës kur Shqipëria ka më së shumti nevojë për rrymë.

“Ne e falenderojmë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë, për shkak se jemi komplementar, ne kemi termocentrale ata kanë hidrocentrale dhe bëhet fjalë për dy ditë e më pastaj ne do të kemi mundësi t’i ndihmojmë në rast të nevojës, pra verën e vitit të ardhshëm”.

“Edhe Shqipëria nuk ka ndonjë bollëk që të na ndihmojë neve, por në kushtet që i ka, Shqipëria ka shprehur vullnetin të na ndihmojnë”, është shprehur Kurti./SHQIP.com