Lajme Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, për SHQIP.com tregon se 75 për qind e të hospitalizuarëve kanë marrë vaksinën anti-COVID

Mori vaksinën por u riinfektuar me COVID-19: “As në këmbë nuk po mundem me u ngritë”

Ilustrim.

Flutra Koci është njëra nga shumë rastet që është riinfektuar me COVID-19.

Kjo, pavarësisht se është infektuar njëherë dhe më pas është vaksinuar me dy doza.

“Ka disa muaj që janë vaksinuar me dy dozat Johnson, duke menduar që nëse infektohem e kalojë më lehtë, por jo. Është duke me munduar shumë. Ka pesë ditë që as në këmbë nuk jam ngritur”, ka thënë ajo.

Ajo tregon edhe simptomat janë po të njëjtat.

“Temperatura, lodhje, dhimbje në mushkëri, dhimbje kokë të gjitha këto simptoma i kam. Mjeku më ka rekomanduar vetëm paracetamol, por unë edhe herën e parë i kam pasur mushkëritë tepër të lënduar nga infektimi i parë”.

Vishaj: 75 për qind e të hospitalizuarëve kanë marrë vaksinën kundër COVID-19

Se personat e vaksinuar janë duke u riinfektuar e pohon edhe drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili tha se 75 për qind të spitalizuarëve kanë marrë më parë vaksinën anti-COVID.

“Gjendja e përgjithshme është e rëndë dhe po rriten kërkesat për hospitalizim. 75 për qind prej tyre që jemi duke i pranuar janë të vaksinuar. Mosha ma e prekur është ajo 60-70 vjeçare. Ka edhe persona që nuk janë të vaksinuar fare”, tha Vishaj për SHQIP.com

Tutje, Vishaj thotë se nëse vazhdohet me trendin e njëjtë, do të paraqitet sërish nevoja e shtimit të stafit shëndetësor.

“Kemi infermierë mungese dhe shpresojmë që Ministria e Shëndetësisë të dërgoj staf shtesë shumë shpejtë.”

Ndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se edhe në janar 2022, ka pasur valë të rritjes së rasteve të reja dhe hospitalizimeve nga COVID-19.

Nga kjo ministri thonë se rritja e rasteve tani po përcillet me shkallë gati të njëjtë të shtrimeve në spital sikurse vala e kaluar.

“Kur në janar kaluan 1,500 raste ditore të COVID-19, kishte mbi 90 pacientë të shtruar në spitale për trajtim nga COVID-19, duke arritur në 229 pacientë të shtrirë”.

Aktualisht në spitalet e vendit bëhet e ditur se janë 95 pacientë që po marrin trajtim për COVID-19.

“Ndihmo në përballimin e valës së re të COVID-19!”, apelon MSh-ja.

Duke u bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në Kosovë janë mbi 9 mijë raste aktive./SHQIP.com