Mori pjesë në ISIS dhe bëri thirrje për bashkëngjitje në luftëra, aktakuzë ndaj një personi
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit, A.M., pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, dhe “Rekrutimi për terrorizëm”, përcjell Shqip.com.
Sipas aktakuzës, i pandehuri me paramendim, me dashje dhe me përgatitje paraprake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i dyshuari në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi nga zonat e konfliktit, ka ofruar fonde për qytetarët nga Kosova, që janë të interesuar për të udhëtuar në Siri, që t’i bashkangjiten organizatës.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri i lartcekur me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS, ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë.
I njëjti në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi nga zonat e konfliktit në Siri, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka ofruar fonde për qytetarët nga Kosova, të cilët janë interesuar për të udhëtuar për në Siri, që t’i bashkëngjiten kësaj organizate”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri përmes ligjëratave të mbajtura në Kosovë, publikisht u ka bërë thirrje personave tjerë që t’i bashkangjiten organizatës terroriste “ISIS” që vepronte në Sitri dhe Irak./SHQIP.com