Lajme

“Mora 1 mln, më kërkojnë 7… ku të mbytem me 2 fëmijë”, viktima e mikrokredive në Fier: Më kërcënojnë me gjyq

Në rrugët e Ballshit përveç erës së naftës, ka pllakosur dhe pamundësia për tu përballur me zyrat ligjore që kanë në dorë xhepat e mijëra qytetarëve që kanë marrë kredi tek institucionet mikrofinanciare dhe më pas nuk kanë pasur mundësi ta shlyejnë atë. Zonja që preferon të mbetet anonime tregon rastin e saj për ZËRI-n.

E zënë ngushtë nga CLO Legal Solution që i kërkon të shlyejë katërfishin e vlerës që është financuar, ajo shprehet se nuk sheh rrugëdalje tjetër veçse ta denoncojë këtë gjë në media.

Pjesë nga intervista:

Drilina Xheladini: Kam marrë dy herë kredi, njëherë 500 mijë lekë, kam paguar një muaj, më pas kam shkuar të marr prapë. Herën e parë kam marrë 500 mijë lekë për 48 muaj. Paguaja 96 mijë lekë në muaj. Herën e parë i kam marrë në gusht të 2023-shit dhe herën e dytë i kam marrë në shtator të 2023-shit. Me kredinë që kam marrë herën e dytë, është shlyer e gjitha. Që të shlyhej dhe e para, kam aplikuar për 1 milion lekë, 700 kam marrë në dorë. Kur mora të dytën, kam paguar shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor, në janar nuk kisha mundësi, nuk kam paguar as janarin dhe as shkurtin. Pastaj më kanë marrë në telefon dhe më thanë ka kaluar në proces gjyqësor, për dy muaj vonesë. Kam paguar në 27 shkurt 150 mijë lekë dhe dje më morën prapë në telefon dhe më kanë thënë duhet të paguash gjithë shumën ose do të kalojë në gjykatë.

Në të dyja herët nuk ka pasur një kontratë, zonja ka aplikuar online, përmes aplikacionit dhe është paraqitur në një nga pikat Western Union, më konkretisht në atë që ndodhet në Qendrën Tregtare Univers në Fier dhe ka marrë paratë. Por, sot ajo nuk ka asnjë dokument në dorë që vërteton se është debitore, përveç një fature që ka paguar në shkurt, të cilën na e vuri dhe ne në dispozicion.

Pjesë nga intervista:

Drilina Xheladini: Aplikimin e kam bërë nga telefoni, nga aplikacioni, më pyetën ku punon, je me sigurime, këto gjëra, tek aplikacioni që kisha, më thanë, t’u aprovua kredia. Më pas më mori një vajzë në telefon dhe më tha shko tek Posta Shqiptare ose të Western Union dhe merri. I kam marrë pasdite, i kam marrë tek Western Union që ndodhet tek QTU-ja në Fier.

Florida Mingla: Për kontratë online, nuk ju kanë thënë që keni mundësi ta tërhiqni?

Drilina Xheladini: Jo, nuk më kanë thënë.

Florida Mingla: Të dyja herët që ju jeni financuar përmes aplikacionit online, nuk keni një dokument që vërteton se kemi marrë këto para.

Drilina Xheladini: Jo, nuk kam asnjë lloj dokumenti dhe nuk kam firmosur në asnjë vend. Vetëm të dhënat e kartës së identitetit kanë marrë dhe i kam bërë dhe një foto të kartës. Asgjë tjetër.

Florida Mingla: Aktualisht, çfarë dokumentesh ke që vërtetojnë se ke shlyer disa muaj nga kreditë që ke marrë.

Drilina Xheladini: Vetëm tek aplikacioni i kisha që ishin ato, tani ma kanë mbyllur dhe aplikacionin, nuk i kam më.

Zonja na rrëfen se personat që e marrin nga CLO Legal Solution nuk i prezantohen me emër dhe mbiemër, por vetëm ushtrojnë presion për të marrë paratë që kërkojnë. Fjalia “do të kalosh në gjyq” është bërë një refren në veshët e kësaj zonje. Fillimisht CLO Legal Solution ka kërkuar 3 milion e 700 mijë lekë, ditën tjetër më kanë thënë të paguaj 4 milion e 800 mijë lekë. Si ndryshon shuma brenda ditës me një diferencë kaq të madhe?

Pjesë nga intervista:

Florida Mingla: Personat që ju kontaktojnë aktualisht që thonë se dosja mund t’ju kalojë në gjykatë, nga cila studio apo zyrë ligjore thonë se ju marrin.

Drilina Xheladini: CLO thonë, vetëm kaq, jemi nga zyra ligjore CLO. Kaq.

Florida Mingla: Identitetin e personave që ju marrin?

Drilina Xheladini: Jo, as emër, as mbiemër, asgjë.

Florida Mingla: Po fizikisht, ju kanë kërkuar që të shkoni t’i takoni?

Drilina Xheladini: Jo, jo nuk më kanë kërkuar.

Florida Mingla: Si ju është thënë që të procedoni tani e tutje?

Drilina Xheladini: Duhet t’i paguash. Të gjithë shumë përnjëherë.

Florida Mingla: Ju si do të veproni?

Drilina Xheladini: S’e di. Që të paguaj të gjithën më kanë thënë që duhet të paguaj 3 milionë e 700 mijë lekë, ditën tjetër më kanë thënë të paguaj 4 milionë e 800 mijë lekë. Sepse më thanë që ju është ngatërruar emri më një tjetër. Unë nuk kam që t’i paguaj aq lekë. S’kam mundësi se me 400 mijë lekë që marr, nuk kam mundësi që t’i paguaj se kam dhe dy fëmijë.

Kush janë këta persona që kanë guximin që të telefonojnë çdo qytetar e t’u kërkojnë paratë e shifra që konsiderojnë ata të arsyeshme, bazuar në ligje që njohin veç ata, por që nuk kanë guximin as të prezantohen?

Tashmë SPAK do të regjistrojë një dosje penale, që siç ZËRI e ka njoftuar dhe paralajmëruar shumë kohë më parë, do të jetë çmontimi i një prej skemave piramidale më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces abuziv, por me veprime që i përmbajnë të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë MCA, Final, Fondi Besa dhe dhjetra përmbarues./ Zëri

/Shqip.com