Kulturë

Monumentet kulturore në Ukrainë janë shkatërruar nga pushtimi rus

Lufta në Ukrainë po dëmton dhe shkatërron edhe kulturën e vendit.

Të premten e kaluar, shtëpia historike e poetit dhe filozofit të çmuar ukrainas Hryhorii Skovoroda u shkatërrua nga një sulm artilerie ruse, së bashku me një muze.

Shtëpia e Skovoroda-s ishte në një fshat të vogël jo shumë larg Kharkiv-it. Sulmi duket se ka qenë një akt i qëllimshëm i vandalizmit kulturor, dhe jo i pari që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt.

Skovoroda ishte një figurë udhëheqëse në rilindjen kulturore të Ukrainës në shekullin e 18-të; këtë vit është 300 vjetori i lindjes së tij.

Kurse, presidenti Volodymyr Zelensky dënoi sulmin kundër shtëpisë së një njeriu “i cili u mësoi njerëzve se çfarë është një qëndrim i vërtetë i krishterë ndaj jetës dhe se si një person mund të njohë veten”.

“Duket se ky është një rrezik i tmerrshëm për Rusinë moderne: muzetë, qëndrimi i krishterë ndaj jetës dhe vetë-njohja e njerëzve”, tha Zelensky.

Zelensky përsëriti temën kur shënoi Ditën e Fitores, duke cituar fjalët e Skovorodës në një mesazh tjetër publik të hënën: “Nuk ka asgjë më të rrezikshme se një armik tinëzar, por nuk ka asgjë më helmuese se një mik i shtirur”.

Ndërkaq, edhe Guvernatori i Kharkiv, Oleh Synyehubov, tha se “Okupatorët mund të shkatërrojnë muzeun ku Hryhoriy Skovoroda punoi vitet e fundit të jetës së tij dhe ku u varros. Por ata nuk do të shkatërrojnë kujtesën tonë dhe vlerat tona! “

Ndërsa shumë vullnetarë dhe punëtorë brenda sektorit kulturor të Ukrainës nxituan për të mbrojtur institucionet dhe monumentet në të gjithë vendin gjatë fillimit të luftës, kishat, muzetë, statujat dhe koleksionet e artit kanë pësuar dëmtime.

Sipas CNN, një statujë e një poeti tjetër të shquar ukrainas, Taras Shevchenko, në qytetin Borodianka jashtë Kievit, u qëllua disa herë dhe u dëmtua rëndë. Qyteti u pushtua nga trupat ruse dhe çeçene për javë të tëra.

Po ashtu, një muze që përmban dy duzina vepra të artistes popullore të ndjerë ukrainase  Maria Prymachenko  u godit dhe u dogj në mars. Shkalla e dëmtimit të veprave të saj artistike mbetet e paqartë me një përfaqësues nga Fondacioni i Familjes Maria Prymachenko që pretendon se veprat u shpëtuan.

Pikturat e gjalla të Prymachenkos u admiruan nga Pablo Picasso, i cili dikur e quajti atë një “mrekulli artistike”, pasi vizitoi një shfaqje të punës së saj në Paris në 1936.

Një numër kishash ukrainase janë shkatërruar gjithashtu shumë prej tyre nuk janë afër ndonjë objektivi ushtarak.