Lajme

Molliqaj: Shef i Byros së Konfiskimit të bëhet Martin Berishaj

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme.

Lidhur më këtë ka ardhur edhe reagimi nga ana e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se shef i Byros së Konfiskimit të bëhet Martin Berishaj.

“Edhe me ndryshimet e bëra, Byroja për Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme ngelet një instrument i sofistikuar politik i Albin Kurtit.LDK iu përgjigj me duar lart gjyqeve publike e gjuetisë së shtrigave. Asnjë vend evropian nuk e ka një mekanizëm të tillë. Nevoja për ta dëshmuar pafajësinë përpara këtij pushteti nënkupton pranimin e tij si instancë etike. Bash kur skandali Martin Berishaj po bën kërdinë, disponimi antikorrupsion i tyre shkoi në VV. Inferioriteti në LDK po e çon atë te pushteti, ende pa marrë pushtet”, ka thënë Molliqaj.

Lexo edhe:
Miratohet Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme

Sipas Molliqajt, gjithashtu, nga 5 anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të këtij institucioni, 4 janë nën kontrollin politik të Qeverisë duke pamundësuar një mbikëqyrje të pavarur.

“Zëvendësi i Avokatit të Popullit dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, dhe Auditori i Përgjithshëm zgjedhën me shumicë të votave në Kuvend, përderisa Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare zgjedhet nga Qeveria.Ndryshimet e bëra në projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme as për së afërmi nuk e kanë zbehur karakterin e këtij institucioni si një mekanizëm për të bërë gjueti shtrigash. Për më tepër, ndryshimet e bëra vetëm sa i kanë shërbyer një fshehjeje të sofistikuar të kontrollit absolut që pushteti do ta ketë mbi këtë institucion”.

Pritshmëritë se nga ky mekanizëm gjykatat tona do stërngarkohen me lëndë e për pasojë do shkaktojnë pasiguri të mëdha në raport me të gjitha pronat që do bëhen objekt shqyrtimi nga to, vazhdojnë të jenë reale dhe tejet shqetësuese, ka shtuar më tutje Molliqaj.

/Shqip.com