Lajme

Molliqaj kundër Asociacionit, kritika Kurtit për raportet tensionuese me SHBA

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, i sheh të rrezikshme dhe pa vizion veprimet e Qeverisë Kurti në veri të vendit, ndërsa Kosovën në një pozitë të palakmueshme.

Molliqaj tha se problemi është ndërmjet Albin Kurtit si kryeministër dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo ndërmjet shteteve.

Ndërkaq, teksa ka folur për kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Molliqaj tha se duhet të refuzohet.

Refuzim kërkon t’i bëhet edhe Kurtit, për të cilin tha se ka sjellë marrëveshje të dëmshme dhe pa njohje përfundimtare.

“Qëndrimet dhe veprimet e kryeministrit të Kosovës kanë qenë të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe pa vizion, ku e kanë sjellur Kosovën në një pozitë të palakmueshme dyfishtë. Në njërën anë marrëveshja çfarë po i ofrohet Kosovës është e dëmshme dhe e keqe e papranueshme për ne si PSD dhe në anën tjetër acarimi me faktorin ndërkombëtarë po ashtu është si rezultat i kësaj Qeverie dhe i kryeministrit Kurti”.“Prandaj unë besoj që siç edhe ka nda SHBA-ja, problemi është ndërmjet Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk është mes Kosovës dhe ShBA-së, prandaj duhet të refuzohet edhe Asociacioni edhe Albin Kurti dhe duhet t’i hapet dera për një dialog i cili qon në një derë që e ka edhe kompromisin brenda por që është marrëveshje përfundimtare dhe jo e pjesshme siç na e ka sjellë Kurti në Kosovë”, u shpreh Molliqaj për Ekonomia Online.

Sipas Molliqajt, kreu i ekzekutivit kërkon çdo herë tensione për të arritur kompromise. Ai tha se si pasojë e kësaj qasje të Kurtit, ka rezultuar me acarim me ndërkombëtarët.

“Nëse e shohim historikun e dialogimit të Kurtit është që tensionimi i ka krye punë për kompromis, pra nuk është që sa herë ka bërë tensione në veri, nuk ka bërë kompromise. Është e kundërta që sa herë që ka vepru me veri dhe tensionim të situatës dhe acarim me ndërkombëtarët, ka ardh me kompromise. Për bindjen tonë kjo është strategji e komunikimit publik e cila po lë pasoja por është tensionim i marrëdhënieve me ndërkombëtarët, tensionim me veriun dhe kompromis”, tha Molliqaj.

“Tani kjo është dhimbja e fundit e këtij procesi dialogues sepse siç e dimë tani do të merremi vesh për draftin e Asociacionit, ku është gjëja e fundit që e ka Kosova. Pas miratimit nga Kosova dhe Serbia për draftin e Asociacionit, Kosova më nuk ka obligime tjera që mundet me ndal ose jo. Procesi mund të shkojë rrjedhshëm, mund të shkojë ose jo në Kushtetuese, themelohet Kuvendi i parë, zgjedhën organet drejtuese dhe pastaj gjithçka është funksionale dhe Kosova nuk ka dorë më aty”, tha tutje ai.

/Shqip.com