Molliqaj: Këshilli prokurorial nën diktat

Aktivistët e Partisë Social Demokrate të Kosovës, kanë zhvilluar një aksion simbolik para Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj pas aksionit është shprehur se përmes këtij aksioni politik duam t’i denoncojmë ndryshimet legjislative mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës që u votuan dje në lexim të dytë nga deputetët e pushtetit.
“Përmes këtij aksioni politik duam t’i denoncojmë ndryshimet legjislative mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës që u votuan dje në lexim të dytë nga deputetët e pushtetit. Me këto ndryshime legjislative, vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme të këtij Këshilli (votimi për Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorët e Prokurorive dhe çështjet disiplinore) do jetë e kushtëzuar nga vullneti politik, përkatësisht nga vota e anëtarëve jo-prokurorë të këtij organi. Amandamenti 9 i dorëzuar në lexim të dytë e vulos ndikimin e anëtarëve jo-prokurorë kundrejt atyre që vijnë nga sistemi prokurorial” është shprehur Molliqaj.

Molliqaj është shprehur se këto ndryshime legjislative deri më tani janë ballafaquar me vërejtje serioze, nga Komisioni i Venecias, por edhe nga shoqëria civile.
“Të gjitha këto vërejtje kanë një emërues të pëbashkët – shqetësimin mbi kontrollin politik të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për fatin tonë të keq, këto shqetësime nga dje, u bënë realitet.

Ky Këshill shumë shpejt do jetë nën kontrollin politik të pushtetit të Kurtit” është shprehur Molliqaj.
Politizimi i organit të akuzës shkon përkundër prezumimit të pafajësisë dhe parimit të legalitetit. Ky fenomen duhet të jetë shqetësim publik, dhe jo thjesht punë e profesionistëve ka thënë më tutje Molliqaj.
Sot gjatë ditës Gjykata ka lëshuar edhe urdhërarrest për Molliqaj./Shqip.com